Gjatë ndeshjes të së mërkurës, dukej se Luka Modrici ishte afër për t’ia shqyer fanellën Lionel Messit, duke tentuar ta ndalë argjentinasin.
Kjo gjë ndodhi gjatë pjesës së dytë të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, të cilën Barcelona e fitoi me rezultat 3:0. Si rezultat i ndërhyrjes së Modricit, Messi u rrëzua në tokë dhe gjyqtari akordoi gjuajtje të lirë për Barcelonën, transmeton Gazeta Express.
Fotografia e këtij incidenti është shpërndarë gjithandej në rrjetet sociale dhe llogaria zyrtare e klubit katalonas u tall me mesfushorin kroat, duke sugjeruar se ai kishte dashur ta merrte me vete fanellën e argjentinasit.
“Është shumë më e lehtë ta merrni fanellën e Messit duke shkuar te dyqani ynë online”, shkruan llogaria zyrtare e Barcelonës.