Borussia Dortmund është gati t’i lë dy ndër ekipet më të mëdha të Evropës, Manchester Unitedin dhe Paris Saint-Germainin, që të hyjnë në garë me oferta mbi 110 milionë euro për ta blerë të talentuarin e ri anglez, Jadon Sanchon. 18-vjeçari u largua nga Manchester City në Bundesligë në vitin 2017, pasi nuk e pranoi një ofertë nga klubi anglez, me pagë prej 35 mijë eurosh në javë. Vendimi i tij fillimisht ishte vënë në dyshim nga kritikuesit, megjithatë ai ka arritur ta dëshmojë veten gjatë kohës së tij në Dortmund.
Adoleshenti tani njihet si njëri ndër lojtarët e rinj më të talentuar në Evropë dhe kjo gjë ka bërë që ai të jetë në qendër të vëmendjes së shumë klubeve të mëdha evropiane, përfshirë këtu edhe Manchester Unitedin. Vlera e tij është rritur jashtëzakonisht shumë gjatë 12 muajve të fundit dhe Dortmundi nuk pranon ta shesë atë për më pak se 110 milionë euro. “Djajtë e kuq” dhe parisienët janë të gatshëm ta shpenzojë një shumë të tillë nëse Sancho arrin ta vazhdojë formën e tij të mirë.
Përderisa prioritet i Manchester Unitedit mbetet një qendërmbrojtës, ata duan ta përforcojnë edhe sulmin e krahut të djathtë dhe e vlerësojnë Sanchon si futbollistin e përsosur për ta bërë këtë gjë. Nëse Manchester Unitedi arrin ta fitojë këtë garë kundër Paris Saint-Germainin dhe ta sjellë Sanchon në skuadër, atëherë e ardhmja e Alexis Sanchezit do të vihet edhe më shumë në dyshim.