Presidenti Hashim Thaçi para Samitit të Berlinit, bashkë me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini

Thaçi bën të ditur se në këtë takim kanë diskutuar për zhvillimet rajonale dhe rëndësinë e integrimit europian të tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Për ne, fqinjët tanë dhe vet Bashkimin Europian, një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike që të ecim të gjithë përpara së bashku. Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, kjo marrëveshje do t’i sillte edhe më shumë paqe e stabilitet rajonit dhe Evropës. E kemi përkrahjen e Bashkimit Europian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të rifillojmë dialogun në Bruksel”, deklaron Thaçi./KosovaPress/