Sot, gjatë javës së CEFTA-s, Komisioni Europian nënshkroi 10 milionë euro grante të BE-së për nxitjen e mëtejshme të integrimit ekonomik rajonal.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera e cilësoi si, “një moment i rëndësishëm për të vlerësuar përparimin e bërë për rritjen e tregtisë së rajonit. Kjo javë e CEFTA-s, nën kryesinë e Shqipërisë, ka qenë shumë e suksesshme me miratimin e angazhimeve të rëndësishme për të liberalizuar tregtinë në shërbime. Kontratat që nënshkruam sot do të kontribuojnë shumë për t’i kthyer këto marrëveshje në rezultate të prekshme në dobi të biznesit dhe operatorëve ekonomikë të rajonit”.

Emir Djikic, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s, tha se, “Komisioni Europian ofron një mbështetje të çmuar për CEFTA-n për të përparuar në agjendën e integrimit rajonal dhe konvergjencën graduale të palëve të CEFTA-s në agjendën e BE-së. Ky grant vjen në një moment të rëndësishëm për të bërë progres në fusha të tilla si lehtësimi i tregtisë në mallra dhe shërbime, si dhe tregtia elektronike”.

Sandra Schenke, Shefe e Divizionit të Europës Jug-Lindore dhe Kaukazit të Jugut në GIZ, tha se, “është nder ta zbatosh këtë projekt, duke siguruar mbështetje të vazhdueshme për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet e përafrimit të BE-së. Përpjekjet e CEFTA-s për lehtësimin dhe liberalizimin e tregtisë ofrojnë një shtysë shumë të madhe për integrimin ekonomik rajonal”.