Gjashtë nisma ligjore të paketës së re fiskale që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2019, tregojnë angazhimin konkret që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në drejtim të zbatimit të një programi ambicioz reformash, të cilat kanë si qëllim sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarëve.
Komisionin për Ekonominë dhe Financat diskutoi sot projektligjin për paketën fiskale 2019 ku merrte pjesë edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj.
Përsa i takon paketës fiskale, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, theksoi se qeveria dhe mazhoranca kanë bërë lehtësira të konsiderueshme për të gjitha fashat e sipërmarrjes në këtë vend.
Braçe i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në komision dhe të bëhet pjesë e diskutimeve lidhur me buxhetin 2019.
Blerina Gjylameti relatorja e relacionit të paketës fiskale, tha se, “Projektligjet financiare paraqesin në mënyrë të qartë dhe të detajuar politikat tatimore që do të ndiqen gjatë vitit 2019, si në drejtim të zgjerimit të të ardhurave tatimore, ashtu edhe për nxitjen e përmirësimin e klimës së biznesit, duke mos anashkaluar edhe analizimin e risqeve dhe problematikat që mund të hasen në zbatimin e tyre”.
Projektbuxheti 2019 do të ketë më shumë burime në dispozicion si rezultat i politikave fiskale të cilat do të vazhdojnë të bazohen në uljen e informalitetit duke synuar në të njëjtën kohë nxitjen e investimeve private strategjike në sektorët prioritarë, theksoi ajo
Ndërsa ministri i Financave Ahmetaj, tha se politikat fiskale këto vite kanë synuar uljen e barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset, për lehtësimin e të bërit biznes përmes procedurave të thjeshtëzuara
“Nga paketa fiskale përfitojnë mijëra biznese. Pas kësaj mase vetëm 9% e sipërmarrjeve tatohen me normën 15%. 65% e sipërmarrjes e ka tatimin zero, pra 71 mijë subjekte do të paguajnë tatimin zero. 28 mijë subjektet e kanë tatimin vetëm 5%. Pra 91% e sipërmarrjes e ka tatimin ose zero, ose 5%. Diferencë e madhe nga ajo që ka qenë”, tha Ahmetaj.
Ministri u shpreh se nga paketa fiskale 2019 përjashtohen nga tatimi fermerët që punojnë si shoqëri bashkëpunimi.
“Bujqësia mund të quhet për 2019 në potencial një nga sektorët më të financuar. Së pari që nga viti 2018 mbështetja për fermerët është rritur me 900 milionë lekë nga viti në vit. E dyta dhe shumë e rëndësishme është fillimi i IPARDIT, në logjikën e vet ka koordinimin e financimit me 25 për qind nga buxheti i shtetit dhe 75 prej tij”, shtoi ai.