Emanuel Egbo do të jetë trajner i Tiranës deri në fundin e sezonit.

Tre fitoret radhazi të mbërritur së fundmi kanë bindur drejtuesit që t’i besojnë stolin e ekipit kryeqytetas, teknikut që më parë stërviste portierët te bardheblutë.

“Emanuel Egbo do të vijojë në krye të Tiranës. Trajneri bardheblu gëzon besimin e plotë të presidentit, klubit dhe skuadrës për të marrë zyrtarisht drejtimin.

Pas tre ndeshjeve me të në krye, klubi ka vendosur ti besojë deri në përfundim të sezonit pankinën bardheblu. Një zgjedhje brenda familjes për të synuar objektivat sezonale. Egbo prej gjashtë vitesh është pjesë e stafit teknik të Tiranës ndërkohe që ka eksperiencën e duhur dhe kualifikimet përkatese për të drejtuar skuadrën,” thuhet në njoftimin zyrtar të klubit 24 herë kampion të vendit.

Egbo mori drejtimin e Tiranës pas largimit të Julian Ahmataj, teksa debutoi me fitore në pankinë në derbin e kryeqytetit me Partizanin.