Pas shkaktoi reagime të forta me deklaratat e tij kur deklaroi se çështja e Teatrit Kombëtar është politizuar shumë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca thotë se deklaratat e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit.

Ai thekson se transparenca e procedurave është thelbësore për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë.

Reagimi i plotë i Sorecës:

Vërej me shqetësim se përgjigjja ime sot në një pyetje mbi çështjen e Teatrit Kombëtar është paraqitur jashtë kontekstit.

Prandaj është e dobishme të theksohet se sot kam përsëritur qëndrimin e shprehur tashmë shtatorin e kaluar nga Komisioni Evropian, kur autoritetet kompetente shqiptare u ftuan për të ndjekur pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe për të siguruar qasje jo diskriminuese në treg.

Gjithashtu deklarova sot se transparenca e procedurave është thelbësore për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë.

Unë shtova se është e nevojshme që të jepet kohë për procedurat institucionale për të marrë një vendim për çdo mosmarrëveshje ligjore që ekziston në këtë çështje, në respekt të plotë të sundimit të ligjit.

Më në fund përfundova duke kujtuar se Delegacioni i BE-së është plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes si të drejtë themelore dhe është gati të vazhdojë dialogun me artistët dhe qytetarët e përfshirë.