Arsenali ka njoftuar se Granit Xhaka nuk është pjesë e skuadrës që do të përballet sot me Chelsean, në ndeshjen e fundit në vitin 2019, në një kohë pasigurie për të ardhmen e mesfushorit shqiptar.
Arsyeja e mungesës së 28-vjeçarit është ftohja, sipas klubit të tij Arsenal. “Xhaka mungon në ndeshjen e sotme për shkak të sëmundjes”, shkroi në Twitter klubi nga Londra Veriore.
Mundësitë që Xhaka të luajë përsëri për Arsenalin janë shumë të vogla, duke e parë dëshirën e vet futbollistit për t’u larguar pas zënkës me tifozët që i kushtoi me humbjen e shiritit të kapitenit muaj më parë.
Madje Xhaka mund ta ketë luajtur lojën e fundit në fanellën e Arsenalit tashmë, duke qenë se afati kalimtar dimëror hapet me një janar dhe Xhaka ka arritur marrëveshje me Hertha Berlinin.
Hertha Berlin i ka ofruar 35 milionë euro për Xhakën, pesë më pak seç kërkon Arsenali, një shumë jo e madhe që është pengesa e vetme për arritjen e marrëveshjes për kthimin e 28-vjeçarit në Bundesligë.
Menaxheri i Xhakës, Jose Noguera, zbuloi se ish-ylli i Baselit dhe Borussia Monchengladbach ka arritur marrëveshje me Hertha Berlin dhe se tani i mbetet vetëm klubeve të pajtohen për transferimin e tij.