Dje në mesditë u njoftua se Juventusi dhe Massimiliano Allegri do të ndahen në fund të sezonit, për t’i dhënë fund një cikli 5-vjeçar të mbushur plot me trofe në Itali, por pa sukses në Ligën e Kampionëve.

I shoqëruar nga presidenti Andrea Agnelli, Allegri doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Atalantën, ku iu përgjigj pyetjeve në lidhje me vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me Juventusin, shkruan Supersport.

Kur e kuptuat që nuk do të mund të ndërtonit Juventusin që kishit në mendje, për të fituar titullin kampion?
Falënderoj presidentin dhe djemtë për atë që më kanë dhënë gjatë këtyre viteve të mrekullueshme, futbollistët e këtij viti dhe ata të viteve të kaluara. Kemi kaluar shumë momente të mrekullueshme dhe po lë pas një skuadër shumë të fortë, që mund të përsëritë suksesin në Itali dhe të konkurrojë denjësisht në Champions. Unë kam dhënë mendimin tim për të mirën e skuadrës dhe shoqëria nga ana e saj, ka bërë vlerësimet e saj dhe ka zgjedhur rrugën që ka menduar si më të mirën, Nuk kemi asnjë qejf-mbetje, pasi jemi ndarë në ,mënyrën më të mirë të mundshme, Tani duhet të përqendrohemi te festa e titullit, por edhe ajo e lamtumirës së Barzaglit.

Është një zgjidhje e marrë nga ambienti i jashtëm?
E kam marrë me qetësi, pasi në një ambient pune ekzistojnë edhe ndarjet në mendime. Nuk kam kërkuar kontratë afatgjatë, revolucion dhe futbollistë, madje as nuk arriti deri aty biseda. Thjesht kishte ardhur momenti për të mbyllur një cikël.

Mendoni se keni paguar faktin që thuhet se “skuadrat tuaja nuk luajnë mirë”?
Ky ka qenë një debat i hapur me të gjithë dhe nuk mendoj se kjo ka peshuar. Në fund vlejnë edhe trofetë e fituar, pasi te Juventusi duhet të marrësh trofe, gjë që ne e bëmë edhe këtë vit. Loja e mirë apo e keqe varet nga disa faktorë, por ndikon natyrisht edhe presioni për të marrë rezultate. “Kemi luajtur mirë, por humbëm”, nuk vlen për mua, ndaj për të fituar, duhen përdorur edhe strategji, sepse në fund të sezonit, për të fituar titullin vlejnë pikët e atyre ndeshjeve të fituara me vështirësi.

Largoheni edhe sepse nuk ju lejuan të ishit një trajner-menaxher, ashtu siç do të donit të ishit?
Absolutisht jo. Gjatë këtyre 56 viteve kam qenë i përfshirë në të gjitha diskutimet e shoqërisë dhe sigurisht që nuk kam qenë njeriu që thotë “po” për gjithçka. Kam marrë pjesë në diskutime të ndryshme me shoqërinë, për problematika të ndryshme dhe sigurisht që kam dhënë mendimin tim.

A ndihesh juventin? Nëse po, çfarë do të thotë kjo për ju?
Jam juventin që kur erdha këtu para 5 vitesh, por edhe kur isha i vogël dhe mbaja posterin e Platinisë në dhomën e gjumit. Është krenari e jashtëzakonshme të jesh pjesë e një familjeje që ka në ADN-në e saj, fitoren.