Paul Pogba është një nga emrat më të përfolur në këtë merkato, teksa pak kohë më parë ka deklaruar se do të largohet nga Manchester United.
Largimi i tij nga “djajtë e kuq” është i pashmangshëm, dhe sipas asaj që shkruan “Diario As”, mesfushori francez është shumë pranë transferimit tek Real Madridi.
United është pranë nënshkrimit me Bruno Fernandez e Milinkoviç-Saviç dhe pikërisht blerja e dy lojtarëve pritet të financohet nga shitja e 24-vjeçarit.
Pogba ka një dëshirë të madhe për të fituar “Topin e Artë”, dhe mendon se vetëm te madrilenët mund t’ia arrijë.
Thuhet se francezi do të ketë pagën që aktualisht mban Bale te Reali, pra 14.5 milionë euro në sezon.
U fol se për lojtarin interesohej edhe Juventusi, por mesfushori ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë në Spanjë, nën urdhrat e një legjende tjetër franceze, si Zinedine Zidane.