Futbollisti do të qëndrojë i huazuar deri më 2020, ndërsa me 1 korrik do të blihet përfundimisht nga Atletico. Morata do të vazhdojë të qëndrojë në Atlético Madrid, jo vetëm këtë sezon – por edhe shumë të tjerë.  Atletico dhe Chelsea kanë bërë zyrtare marrëveshjen e arritur për 26-vjeçarin spanjoll, transferimi i të cilit do të bëhet i përhershëm më 1 korrik 2020.

Është vendosur që këtë sezon të luajë në formë huazimi, ashtu siç janë marrë vesh kur iu bashkua ekipit të El Cholos. “Është arritur marrëveshja me Chelsea FC për transferimin e Alvaro Moratas nga 1 korriku 2020. Sulmuesi do të luajë në formë huazimi këtë sezon dhe transferimi do të bëhet i përhershëm para sezonit 2020/21”, shkruan Atletico në njoftimin në “Twitter”.

Lidhur me largimin përfundimisht nga “Blutë e Londrës” ka njoftuar edhe Chelsea, duke i uruar fat ish-sulmuesit të Real Madridit. Sipas të përditshmes AS, Atletico duhet t’i derdhë në arkat e Chelseas verën e ardhshme 55 milionë euro.