Korça në këto ditë të fundit të vitit 2019 është jo vetëm e zbukuruar, por dhe e mbipopulluar nga vizitorë të shumtë që kanë zgjedhur qytetin e serenatave si oazin e festave të fundvitit.
Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari lidhur me situatën e reshjeve, bënë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka pasur reshje të moderuara dhe nuk ka asnjë problemë me qarkullimin rrugor.
“Korça është e zbukuruar shumë për festa. Buzëqeshjet e vizitorëve e ngrohin atë, ndërsa dëbora ka zbardhur qytetin e nuk ka krijuar problem në qarkullim. Bashkia dhe Polica e qytetit janë gatishmëri të plotë për të ruajtur sigurinë dhe mbarëvajtjen e festave. Po ashtu kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë në gatishmëri për të mënjanuar bllokime në akse të caktuara, që për momentin nuk duket të ketë rrezik. Atmosfera e gëzueshme e dhuruar nga zbukurimet në qytet ka prekur të gjithë dhe numri i vizitorëve është gjithnjë e në rritje”, tregon Spirollari për ATSH.
“Të vish në Korçë sot do të thotë të kesh vështirësi të gjesh dhoma hoteli bosh, jo vetëm brenda në qytet, por dhe në pikat turistike si Dardha, Voskopoja..etj”, tregon Spirollari më tej. Në Korçë, temperaturat pritet të jenë të ulëta përgjatë ditëve të festave.