“Goal.com” ka përzgjedhur top-formacionin e kombinuar të dy gjigandëve spanjollë, Barcelona dhe Real Madrid, ndërsa ato do të përplasen sonte, nga ora 21:00, në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, në “Camp Nou”. Skuadra katalanase ka qenë fitimtare e kësaj gare në katër vitet e fundit, duke mos luajtur në finale vetëm një herë në tetë sezonet e fundit.
Real Madridi do të kërkojë të hakmerret për shkatërrimin pararendës të tij (5-1), në tetor 2018, që përfundimisht çoi në shkarkimin e trajnerit Julen Lopetegui. Të dyja skuadrat kanë probleme dëmtimi, megjithatë pritet të jetë një shfaqje epike e disa prej lojtarëve më të mirë të botës. “Goal.com” ka përftuar top-formacionin e kombinuar të të dyja skuadrave dhe ka shumë pak surpriza në këtë “përzierje”…
Portier
Marc-Andre Ter Stegen (Barcelona)
Jasper Cillessen zakonisht i fillon si titullar ndeshjet e Kupës së Mbretit, por ndërkombëtari holandez është i përjashtuar nga kjo klasike për shkak të një dëmtimi të muskujve. Prandaj, Ter Stegen do të bëjë paraqitjen e tij të parë në “Copa del Rey” për këtë sezon dhe duhet të ruajë formën optimale si në La Liga. Thibaut Courtois dhe Keylor Navas kanë qenë mbresëlënës për Real Madridin, por Ter Stegen ka qenë në një nivel tjetër për liderët e La Liga-s, ndaj zë vend në këtë formacion.
Mbrojtës
Dani Carvajal (Real Madrid)
Të vendosësh për mbrojtjen është e vështirë, duke marrë parasysh zgjedhjet, por Dani Carvajal merr krahun e djathtë përpara dyshes së Barcelonës, Sergi Roberto dhe Nelson Semedo, të cilët nuk kanë qenë veçanërisht të shquar këtë sezon.
Sergio Ramos (Real Madrid)
Ramos ka mbetur një “shkëmb” në zemër të mbrojtjes së bardhë, ndërsa ka qenë përsëri golashënues “pjellor” këtë sezon. Ai ka shënuar 10 gola këtë sezon, duke barazuar rekordin e tij më të mirë në një sezon në këtë drejtim. Kapiteni ka shënuar një dopietë në ndeshjen e parë çerekfinale të “Copa del Rey”, kundër Girona.
Gerard Pique (Barcelona)
Pique ka bërë përshtypje në qendër të prapavijës së Barcelonës dhe e meriton përpara Raphael Varane pozicionin në këtë formacioni. Francezi ka qenë solid për Real Madridin, por mungesa e qëndrueshmërisë i ka kushtuar atij vendin këtu.
Jordi Alba (Barcelona)
Forma jo e jashtëzakonshme e Marcelos deri më tani, këtë sezon, do të thotë që Alba të luajë me lehtësi në anën e majtë të këtij formacioni të përzier, pasi ka pasur paraqitje të shkëlqyeshme me Barcelonën.
Mesfushorë
Luka Modric (Real Madrid)
Fituesi i “Topit të Artë” dhe kapiteni i Kroacisë është i vetmi lojtar i Real Madridit në mesfushën e këtij formacioni të kombinuar. Mbetet jashtë Toni Kroos, i cili nuk ka qenë në më të mirën e tij për kampionët europianë këtë sezon.
Sergio Busquets (Barcelona)
Busquets e humbi ndeshjen kundër Valencias për shkak të plotësimit të numrit pesë të kartonëve të verdhë, por do të kthehet në ekip kundër Real Madridit. Ai bashkohet me “trion” e mesfushës së këtij formacioni, ku bëjnë pjesë edhe Modric e Ivan Rakitic, përkundër shfaqjeve mbresëlënëse të Casemiro, Arthur dhe Arturo Vidal, këtë sezon.
Ivan Rakitic (Barcelona)
Partner me shokun e tij të Barcelonës në qendër të mesfushës është Rakitiç, i cili ka qenë integral në skuadrën katalanase, që synon titullin e La Liga-s. Një lojtar që ka humbur vetëm një ndeshje kampionati.
Sulmues
Lionel Messi (Barcelona)
Ylli i Barcelonës po përballet me një betejë kundër kohës, që të jetë pjesë e kësaj gjysmëfinaleje të Kupës së Mbretit, pas marrjes së një dëmtimi në kofshë, të shtunën e kaluar, kundër Valencias. Megjithatë, ai është trajnuar me skuadrën të martën, ndonëse nuk është marrë ende asnjë vendim zyrtar për disponueshmërinë e tij. Sidoqoftë, pavarësisht lëndimit, përfshirja e Messit në këtë formacion të kombinuar është e padiskutueshme. Argjentinasi duket se po përmirësohet çdo sezon, pasi ka shënuar 29 herë në 27 ndeshje, në të gjitha garat, këtë edicion.
Luis Suarez (Barcelona)
Uruguajani bashkohet me partnerin e tij të sulmit të Barcelonës në këtë repart të formacionit të kombinuar, sepse ka shënuar 16 gola në 29 paraqitje, deri tani, në këtë sezon.
Karim Benzema (Real Madrid)
Dëmtimi i Gareth Bale e ka nxjerrë më në pah ndikimin e francezit të Real Madridi, ndonëse Vinicius Jr ka qenë mbresëlënës në ndeshjet e fundit. Gjithsesi, Karim Benzema fiton një vend në sulmin e këtij formacioni të kombinuar. Ai ka shënuar golin e 18-të të sezonit në fitoren 3-0 të së dielës ndaj Alaves. Po ashtu, ka realizuar 4 gola në “Copa del Rey”, duke u bërë lider i “Los Blancos”, edhe një herë. (Telesport.al)