Gjatë një deklarate për mediat, kreu i grupit parlametnar të PS, Taulant Balla u shpreh i bindur se PD do marrë pjesë në zgjedhjet lokale, pasi sipas tij do i bindet votuesve të vet. Balla iu përgjigj thirrjes së KQZ dhe tha se PS sot do të dorëzojë emrat e anëtarëve për KZAZ.

“Brenda ditës së sotme do të dorëzojmë në KQZ emrat e anëtarëve të propozuar nga PS për KZAZ. Çdo parti politike ka detyrimin për t’iu përgjigjur afatit të depozitimit. Unë nuk besoj kurrë që PD nuk do marrë pjesë në zgjedhjet lokale dhe besoj se do t’u bindet votuesve të vet për të marrë pjesë në garën për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive. Kodi ka parashikuar edhe rastin dhe vakancën që krijohet”- tha Balla.

I pyetur se kur do të nxjerrë PS kandidatët për 61 kryetaret e bashkive në kuadër të zgjedhjeve lokale, Balla u shpreh se procesi është drejt përfundimit dhe së shpejti do bëhen publike dhe kandidatët.

“Afatet ligjore ju i dini. Ne kemi nisur që para 8 muajsh konsultimet për zgjidhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale. Ne jemi konsultuar me qytetarët për kandidaturat. Dua t’ju them se në një pjesë të madhe të territorit procesi është gati i përfunduar dhe shumë shpejt do shpallim kandidatët”- tha Balla.