Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla uroi sot Lidhjen Demokratike të Kosovës, në 30-vjetorin e krijimit të saj.

“Dëshiroj t’ju uroj gëzuar ditëlindjen e 30-të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Balla.

Misioni i LDK-së dhe vizioni largpamës i Presidentit Rugova, sipas Ballës, “janë themelet shtetformuese të Kosovës”. “Urime të sinqerta mikut tim, kryetarit Isa Mustafa”, tha Balla. Lidhja Demokratike e Kosovës si lidhje shqiptare brenda Kosovës u formua më 23 dhjetor të vitit 1989 në Prishtinë nga një grup intelektualësh.

Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i partisë që prej themelimit dhe deri në janar 2006, kur u nda nga jeta. LDK u angazhua për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe të lirë.