Barcelona ka dështuar të fitojë për herë të tretë më radhë në La Liga, pasi Athletico Bilbao me ia doli ta ndalë me një barazim 1-1 në “Camp Nou” të shtunën.
Pas barazimit ndaj Gironës në shtëpi një javë më parë dhe humbjes tronditëse në udhëtim ndaj Leganesit në mesjavë, Barcelona që luajti gjysmën e takimit pa Lionel Messin, u ndal 1-1 nga Athletico Bilbao.

Ernesto Valverde kishte zgjedhur ta nisë këtë ndeshje duke e lënë kapitenin Lionel Messin në stol, bashkë me Sergio Busquetsin.

Kjo rezultoi negativisht, pasi Barca e humbi pjesën e parë 1-0. De Marcos e shënoi golin e epersisë për mysafirët.

Busquets dhe Messi u futen në lojë rreth dhjetë minuta brenda pjesës së dytë.

Nga ai moment e tutje, Barcelona sulmoi me të gjitha forcat, dhe ishte shumë herë pranë golit të barazimit. Futja në lojë e Messit e ndryshoi rrjedhën e takimit.

Skuadra e Valverdes e gjeti golin e barazimit mjaft vonë, gjashtë minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Barça në fakt e ka rrezikuar edhe humbjen, pasi skuadra e dalë shumë përpara la zbrazëtira në mbrojtje, të cilat megjithatë s’u shfrytëzuan mirë nga lojtarët e Bilbaos.

Pak minuta para fundit, Leo Messi me një solo aksion ishte shumë pranë golit të fitores, por shtylla pingule ia mohoi atë.

Barcelona mbetet lidere me 14 pikë, pas katër fitoreve, dy barazimeve dhe një humbjes. Por, vendi i dytë, Real Madridi ka një pikë më pak dhe një lojë më pak të zhvilluar po ashtu.