Kryetari i Republikës së re, Lulzim Basha ka dalë me tre pika, lidhur me pasojat e tërmetit si një gjetje e madhe e tij për të përshpejtuar kapërcimin e katastrofës që ka goditur vendin.

Në fakt ashtu si gjithmonë, Luli nuk do të zhgënjejë. O thotë tre, o thotë pesë apo shtatë pika. Strategji më shumë mediatike, sesa të vërteta dhe fakte që mund të ndihmojnë në procesin e vështirë që po kalon vendi.

Përtej faktit se Luli ende nuk ka dhënë asnjë lek, dhe nuk ka deklaruar se cila është ndihma që ka dhënë ai megjithëse ai është një miliarder, me një pasuri të deklaruar 1.7 miliardë, na ka prezantuar dhe na ka thënë se ka 500 inxhinierë të gatshëm të shkojnë në terren.

Në fakt në takimin që bëri nuk kishte as 50 vetë, nga të cilët gjysma janë anëtarë të kryesisë së PD-së, ndërsa ndërtues dhe inxhinierë që thotë Luli apo ti shkojnë pas këtij të fundit, është shumë e vështirë.

Por, mirë do të ishte që ai të bënte publike këtë listë të njerëzve që ai paska në dispozicion, por që qeveria nuk e merr. Sepse kështu do ta godiste shumë rëndë. Duke publikuar listën dhe duke thënë ja emrat që ne kemi. Ja lista e njerëzve që qeveria nuk i angazhon për të përshpejtuar kapërcimin e situatës.

Së dyti, thotë atë që po bën qeveria, evidentimin, shkatërrimin, heqjen dhe pastrimin sa më shpejt të gjithçkaje çka ndodhur.

Dhe së treti, ka dalë me një pikë që e përmend shpesh që është anullimi i 150 milion eurove të koncesioneve.

Ka gjetur një shifër, edhe kjo si reklamë mediatike për ta ngjitur tek veshi i njerëzve.

Ndërkohë, nga ana tjetër Rama i përgjigjet se kjo është një shifër shërbimesh. të dy palët hedhin ping-pong dhe bëjnë politikë.

Por, në fakt Luli e kalon me një gënjeshtër dhe Edi Rama e kalon me një gënjeshtër tjetër.

Në asnjë rast dhe për asnjë arsye asnjëri nga të dy nuk i anullon dot ato koncesione, pasi janë kontrata të nënshkruara dhe anullimi i tyre në çdo moment do të sillte një kosto 10-fish më të rëndë nga taksapaguesit.

Pra, qytetarët shqiptarë këto koncesione do t’i paguanin shumë më tepër edhe në qoftë se Luli vjen në qeveri dhe i anullon. Dhe kështu ka ndodhur.

Kemi rastin Bechetti dhe shumë të tjera në Shqipëri, sepse drejtësia shkon në Strasburg, në gjykatat Europiane, të cilat nuk janë si “KÇK” e kryeministrit tonë “të dashur”.

Lulzim Basha thotë se qeveria duhet të anullojë koncesionet dhe këto 150 milion euro të përdoren për kapërcimin e situatës. Por, a i ka qeveria këto 150 milion euro?

Lulzim Basha nuk mund ta thotë këtë gjë sepse është një kandidat i mundshëm për kryeministër. Sepse del zbuluar dhe duket se është tejet i paaftë, i papërgatitur dhe është thjeshtë një fasadë.

Po ku i ka qeveria gjendje 150 milionë euro në fund të vitit buxhetor, për t’ia dhënë koncesionarit për vitin e ardhshëm?

Kë gënjen Luli me këto shifra dhe përralla?!

Pyesni dhe ekonomistin më të thjeshtë. Qoftë në kryeministri, në ministri të Financave, në ministri të Infrastrukturës apo Shëndetësisë, atje ku janë firmosur koncesione.

Ato para paguhen pjesë-pjesë brenda vitit. Pra, qeveria çel buxhetin, tatimet dhe doganat mbledhin të ardhurat, nga të ardhurat janë shpenzimet, ku paguhen shumë e shumë lekë, rroga, investime e të tjera, ku përfshihen dhe koncesionet.

Pra, qeveria bën planifikimin, bën buxhetin, mbledh të ardhurat e pastaj paguan.

Luli na thotë se qeveria na i paskërka këto lek dhe vitin tjetër të mos ia japë koncesioneve, ti anullojë këto të fundit dhe paratë të hidhen në Thumanë dhe Durrës.

Një gënjeshtër, një pafytyrësi, një injorancë politike, kjo e mbështetur edhe nga kryeministri. Pasi nuk e thotë të vërtetën për opinionin publik dhe faktin si qëndron, por hedh një shashkë tjetër politike duke thënë se koncesionet po i përdor për shërbime.

Të dy gënjejnë, kush më pak e kush më shumë. Të dy bëjnë politikë. Por rasti i Bashës i cili nuk tregon listën me 500 inxhinierë dhe gënjeshtra me 150 milion euro që qeveria i paska në gjendje që tua japë koncesionarëve sat ë fillojë viti tjetër dhe këto para mund të përdoren tani për të kaluar këtë situatë emergjence është më banale dhe qesharake dhe e padëgjuar kurrë më parë nga një politikan në këto 30 vite tranzicion, ku ka pasur shumë gënjeshtra, shumë gafa. Por, këto të Lulit dhe artikulimet e tij janë thjeshtë dhe vetëm fantastike./ CNA.al