Një vit më parë, Leonardo Bonucci la kampionët e Italisë të Juventusit për të luajtur me Milanin, një transferim që befasoi të gjithë tifozët e futbollit. Por ky transferim mund të mos jetë i vetmi që ndodh krejt papritur mes këtyre dy klubeve, si “rrufe në qiell” të hapur. Mediat italiane bëjnë me dije se mes dy skuadrave mund të ndodhë këtë verë një tjetër lëvizje e tillë dhe këtë herë lojtari që mund të lërë bardhezinjtë për të luajtur me kuqezinjtë është sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain.
Për momentin asgjë nuk është e sigurtë, pasi Milani fillimisht duhet të marrë “OK”-in për të luajtur në Europë nga UEFA (vendimi merret ditën e martë) dhe më pas kuqezinjtë mund të veprojnë lirshëm në merkato. Dhe në ato moment “Il pipita” mund të jetë një objektiv real për skuadrën e trajnerit Gattuso, që ka nevojë për një sulmues me peshë në arenën ndërkombëtare.
Një lëvizje që mediat e konsiderojnë një “Bonucci bis”, pasi edhe para një viti ky transferim konsiderohej i pamundur, por ndodhi. Higuain është 30 vjeç, aq sa ishte Bonucci një vit më parë, por problem këtë herë mund të jetë kostoja e sulmuesi argjentinas, që vlen 60 milionë euro.