Aktivizimi i lojtarëve me kombëtaret e tyre në Botërorin e Rusisë ka sjellë të ardhura të konsiderueshme për tetë klube të Serisë A. FIFA ka bërë të ditur sot shumat që do të arkëtojnë klubet e Serisë A, që kanë pasur lojtarë në Rusi 2018.
Bëhet fjalë për një rimbursim prej më shumë se një milion euro, duke nisur me Juventusin, që do të arkëtojë 3.019.610 euro. Më pas, në vend të dytë dhe tretë, vijnë Interi me 1.836.670 euro dhe Napoli me 1.782.192 euro.
Vendin e katërt e mban Milani, me 1.373.965 euro, ndërsa në vend të pestë vjen Sampdoria, me 1.359.107 euro. Roma, Fiorentina dhe Bolonja janë tri skuadrat e tjera që përfitojnë më shumë se një milion euro për lojtarët që kanë pasur të angazhuar në Botërorin e Rusisë.