Zëvendëskryeministri Erjon Braçe, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, deputetë të qarkut të Beratit dhe qytetarë të shumtë nderuan sot, në 75 vjetorin e çlirimit të Beratit, dëshmorët e rënë në Luftën Antifashistë Nacional Çlirimtare.

Gjatë fjalës së mbajtur zëvendëskryeministri Braçe kujtoi disa nga figurat kryesore që dhanë jetën në luftën për çliruar jo vetëm Beratin, si Gjin Marku, Neshat Hysi, Kadri Hoxha, Kristaq Capo etj., por edhe gjithë Shqipërinë.

“Sot nderi dhe respekti shkon për të gjithë ata dëshmorë të tjerë të Beratit që ne i kujtojmë këtu çdo 5 Maji e 13 shtator e kur shkëlqen pa të voglin diskutim Margarita Tutulani, jo thjesht si simbol i një vajze të re kundër fashizmit, por edhe si simbol i emancipimit të shoqërisë shqiptare, e cila mori indicien në LANÇ”, tha zëvendëskryeministri Braçe.

Jemi krenarë, u shpreh zëvendëskryeministri, që gjyshërit e prindërit tanë zgjodhën krahun e duhur të historisë:

“Gjatë LANÇ, shqiptarët nuk bëmë asnjë gabim, nuk bëmë asnjë gabim kur zgjodhën krahun e duhur të historisë dhe u bëmë bashkë me aleatët e mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore. Kush ndje turp nga zgjedhja e drejtë e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, në LANÇ me turp të rrojë sot e gjithë jetën. Ne sot jemi krenarë për atë që kanë bërë gjyshërit tanë, prindërit tanë dhe do vazhdojmë të respektojmë deri në fund çdo përpjekje të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të çliruar njerëzit e për t’u përballur me fashizmin. Liria dhe antifashizmi janë sot thelbi dhe vlera e një Europe të drejtë, të barabartë e sociale.”