Shpresat e Shqipërisë do të luajnë në ditën e nesërme ndaj Bjellorusisë, në një takim miqësor ku do të tentohet rikthimi te rezultatet pozitive, pas disa dështimesh në ndeshjet e fundit.
Në një intervistë , trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi është shprehur se po i kushton vëmendje futbollistëve të datëlindjes 1998-1999, ndërsa ka thënë se e kupton problemin e Panuçit, megjithëse është shprehur se ky i fundit i ka lojtarët.
“Kemi ftuar shumë lojtarë të rinj të datëlindjes 1998-99, sepse sezonin tjetër në muajin mars të 2019, do të luajmë me këtë datëlindje.
Duke parë që dolëm jashtë objektivave dhe 5 veta kanë shkuar në ekipin A, kemi marrë lojtarë të rinj për t’i parë në ardhmen. Shqipëria nuk ka nxjerrë mbrojtës dhe është shumë keq. E mirëkuptoj Panuçin, megjithëse ai i ka lojtarët, por këta të fundit nuk dalin dot në formën e tyre, pasi nuk kanë minuta në këmbë.
Në grumbullin tjetër do t’i kushtoj vëmendje lojtarëve të datëlindjes 2000, pavarësisht se do të jenë 2-3 vite të vegjël, por unë do i marrë që të luajnë me ne. Ndaj Bjellorusisë nuk na intereson rezultati, por të fitojmë lojtarët, megjithëse trajnerët hyjnë në ndeshje për të fituar”, ka thënë Bushi.