Gjatë vitit 2020 për të përmirësuar rrjetin e Ujësjellës-Kanalizimeve do të investohen 8.8 miliardë lekë. Dy objektivat strategjikë të qeverisë janë reduktimi i ujit pa të ardhura dhe përmirësimi i shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në zonat bregdetare me rëndësi turistike.

Deri në vitin 2022, qeveria synon reduktimin e humbjeve në nivel kombëtar në masën 50% si dhe rritjen e mesatares së orëve të furnizimit me ujë të pijshëm në rang kombëtar në 14 orë në ditë në 2022, nga 12.5 orë në ditë në vitin 2019. Po ashtu, synohet mbulimi me kanalizime në zonë urbane 81% në vitin 2022 nga 80% në vitin 2019 ndërsa në zonat rurale parashikohet mbulimi 22% në vitin 2022 nga 16% në vitin 2019

Përqindja e mbulimit të kostove të Ujësjellës-Kanalizimeve me të ardhurat synohet të arrihet në vlerën 90% në vitin 2022 nga 75% në vitin 2019.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Financave dhe Ekonomisë deri në fund të 6 mujorit të pare të këtij viti u bë e mundur vendosja e 37 938 matësave të rinj, u lidhën 20 188 kontrata të reja, si dhe u arkëtuan 5.203.187.000 lekë.