“Cilin lojtar do të doja të drejtoja te një ekip i ardhshëm? Mes italianëve zgjedh Insigne”. Profet, kjo është aftësia e re e Carlo Ancelotti. Të tjerat, tashmë, njihen nga të gjithë: Carletto është një trajner i madh, një menaxher i jashtëzakonshëm i lojtarëve dhe një nga ata që dinë si fitohet.

E ka bërë kudo ku ka shkuar: e ka nisur në Itali dhe më pas e ka bërë në Angli, Francë, Spanjë, Gjermani. Mund të kishte marrë drejtimin e Italisë (ishte objektivi numër një i federatës), por ka refuzuar, sepse dëshira për të drejtuar një tjetër klub të rëndësishëm ka qenë shumë e madhe.

Kështu, Ancelotti do të kthehet në Serie A nëntë vite pas lamtumirës ndaj Milan, me objektivin dhe detyrën e vështirë për të thyer hegjemoninë e Juventus. Karriera e tij si trajner është ajo e një legjende: 19 trofe mes Milan, Chelsea, PSG, Real Madrid dhe Bayern. Dhe, si të gjithë legjendat, aventurat e Ancelotti-t kanë një fillim shpërthyes.

Cikli kuqezi është hapur me një triumf në Champions League në 2003-in, atë të fituar kundër Juventus, klubi ku nuk e kanë dashur kurrë dhe ku kujtohej për titullin e humbur në sezonin 1999-2000 nën rrebeshin e Perugia-s.

Me “Djallin”, ku kishte fituar gjithçka si lojtar, Ancelotti ka koleksionuar tetë trofe në tetë sezone: kampionat, Kupa e Italisë, një Champions tjetër (2007), Botëror për Klube, SUperkupa, nuk mungon asgjë. Më pas ka ardhur triumfi në Premier, në vitin e parë te Chelsea.

Një triumf që është pasuar nga trofetë e fituar me PSG në Ligue 1 dhe Champions League numër 10 me Real Madrid (një tjetër objektiv i arritur në sezonin e parë), pas 12 vitesh pritje. Në fund i ka ardhur radha edhe Bundesliga-s, të cilën e ka fituar në vitin e tij të parë.

Trajneri 58-vjeçar është i vetmi në botë, bashkë me Bob Paisley (Liverpool), që ka fituar tre Champions League; ka qenë trajneri i parë italian që ka fituar kampionatin anglez në tentativën e tij të parë; është në Olimpin e trajnerëve të Europës, bashkë me Trapattoni, Happel, Ivic dhe Mourinho, që ka fituar titullin në të paktën katër vende të ndryshëm.

Me pak fjalë, super blerja e parë e De Laurentiis ka qenë në stol, por tifozët e Napoli-t ka shumë mundësi që të mos jenë të interesuar për rekorde, duke parë se nuk kanë mjaftuar për të fituar titullin në sezonin që sapo është mbyllur.