Nga ARTUR  AJAZI

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike  Lulzim Basha, ka vendosur  të dalë më  në fund nga bunkeri, dhe të nisë “turin e tij vjeshtor” për të sqaruar  rininë mbi situatën politike në Shqipëri . Mësohet se tema kryesore e diskutimit do të jetë “anëtarësimet e reja”, pasi mbi 1 muaj  më parë,  zoti  Basha  kishte  porositur koordinatorët  e shpërndarë në rrethe, që deri në fund të tetorit,të identifikonin “votuesit besnikë” të PD.

Gjithashtu  Lulzim Basha u kërkoi  përfundimin e regjistrimeve të reja, dhe ka porositur kryetarët e degëve të mbledhin sa më shumë të rinj, pasi sipas tij “do   të diskutohet mbi arsyet e emigrimit dhe rigjetjen e shpresës në Shqipëri”.

Por  a ka mbetur gjë vallë për të “diskutuar dhe sqaruar” Lulzim Basha me të rinjtë në Elbasan apo gjetkë, a ka mbetur gjë  pa dalë në media mbi gjithçka  ka nisur  dhe bitisur ai deri sot ?  A  do ti “sqarojë”  kryetari Basha të rinjtë  mbi paaftësinë e ish-opozitës për të organizuar partinë, protestat popullore, për dështimet e humbjet e  PD pas  2013 në zgjedhje, a do ti “sqarojë”  kryetari  Basha të rinjtë se përse  iku  nga pallati dhe vajti  në një vilë luksi, a do ti sqarojë  të rinjtë kryetari Basha se përse Partia Demokratike nuk po ringrihet, nuk po  europianizohet, se përse nga ajo parti  janë larguar dhjetra e qindra emra që kanë  vënë gurin e themelit qysh para 29 vitesh, a do ti sqarojë kryetari  Basha të rinjtë  se përse janë “firuar” mbi  250 mijë vota nga partia e dhjetoristëve ?

Këto dhe  shumë e shumë pyetje dhe dilema të tjera,  janë detyrim  për kryetarin Basha t’ja  sqarojë  vërtetë të rinjve, atyre që sot më tepër se kurrë nuk  qasen në PD, duke  e gjetur  mes tyre  arsyen e vërtetë. Duke nisur  turin e tij  të “shpresës për rininë” apo dhe profka  të tilla si “të shpëtojmë  vendin nga  gremina qeveritare”, Lulzim  Basha thjesht  ka nisur fushatën e testimit të bazës (atyre  që i kanë mbetur  akoma në rrethe) mbi skandalet e fundit në  SHQUP, duke nisur  nga babalet, dosjet e “krimit  dhe korrupsionit” që u kthyen në  estradë, apo dhe  vilën e re,  tek  e cila ai  ka  vendosur (i detyruar nga kushtet)  të  banojë, pas “tërmetit” që  i dëmtoi  apartamentin.

Çfarë  do tu  rrëfesh të rinjve  në Elbasan, Durrës, Korçë,  Vlorë, Shkodër, e kudo  ke vendosur  të shkosh, do tu japësh “leksione emigranti” dhe do ti  ftosh ata “të bëhen anëtarë të PD”  kur situata  në atë parti  aktualisht është alarmante ?  E nise me vonesë  turin e vjeshtës  Lulzim, e nise me vrullin  “rinor” duke dashur të ngjallësh shpresën tek baza e partisë, por cilën shpresë ? Ajo është “vrarë” qysh në 2013, u rivra pastaj në 2017, dhe  nuk ka shanse të ringjallet më. Lëre fushatën  dhe eskursionin  vjeshtuk Lulzim, sepse edhe  vetë do ta besosh se të rinjtë  sot, nuk  mashtrohen më si dikur, sepse të rinjtë  sot  nuk  mund  ti  bësh “opozitarë” duke  u treguar përralla me “krime dhe korrupsion”.

Ata  janë  brezi  i elektronikës, janë  të shkolluar, ata janë  e ardhmja dhe  shohin përpara, madje  shohin më larg  se ty. Ata janë për Europën dhe jo për  “Ruso-azinë, ata  janë për  lëvizjen e lirë,  dhe jo mbylljen  në oborrin e SHQUP-it. Nise  turin në rrethe Lulzim, dhe tregoi  të rinjve  histori me “fitore plebishitare” si ato të Doktorit, tregoi  të rinjve, si  bëhesh i pasur  kur bëhesh ministër, dhe mos harro  tu  tregosh atyre, edhe se si  bëhesh kryetar partie  edhe pse ke humbur  4 palë zgjedhje  të lira. Shpreso  të të besojnë  ndopak  në rrethe Lulzim,  thjesht  sa  të  harrohet  “çudia e madhe” .