Nga: Lisian Roseni, Botime Akropoli i Ri
Të gjithë jemi në kërkim të lumturisë, por secili prej nesh ka kuptime të ndryshme mbi të. Në ditët e sotme si arsye e zhvillimit teknologjik dhe material në dukje njeriu posedon gjithçka për të qenë i lumtur, por pikërisht ky fokusim në aspektet e jashtme të jetës e ka larguar atë edhe më shumë nga vetja e tij.
Nga njëra anë sot kemi njerëz të cilët kanë mjete materiale dhe pushtet, por nuk janë të lumtur dhe nga ana tjetër kemi njerëz që kanë informacion dhe njohuri të zhvilluara, por sërish edhe ata nuk janë të lumtur.
Për egjiptianët e lashtë ishte perceptimi metafizik i transformimit të njeriut kjo lumturi. Për grekët e lashtë lumturia ishte ajo që quhet eudaimoni, përmbushja e fatit të qenies. Për romakët ishte ideali i një republike mbarëbotërore. Përmbushja e këtyre ideve ishte njëkohësisht përmbushja e lumturisë vetjake dhe publike. Për indianët e lashtë lumturia autentike përkufizohej në vetëm një fjalë “Darma”.
Darma është rruga e zhvillimit të çdo qenieje, rrjedhimisht edhe e njeriut. Darma është arsyeja e ekzistencës së të gjitha qenieve, që na tregon se çdo gjë në Univers ka një arsye konkrete ekzistence dhe ndodh për një qëllimshmëri të caktuar. Ndërsa Karma është ligji i veprimit dhe kundërveprimit, arsyes dhe rezultatit në dimensionin metafizik, Darma është arsyeja e ekzistencës së Karmës. Çdo veprim ka një kuptim dhe çdo kundërveprim nëpërmjet ligjeve të Karmës vetëdijëson qenien mbi vetveten dhe fenomenet jashtë saj. Darma është detyra që çdo qenie ka për të përmbushur në mënyrë që të jetë e lirë, e virtytshme dhe e lumtur. Ky aspekt i filozofisë indiane është i ngjashëm me eudamoninë e Aristotelit, detyrën hyjnore të Agustinit, domosdoshmërinë e Spinozës, Imperativin Kategorik të Kantit, etj.
Pikërisht për këtë arsye autorja Annie Besant, një nga filozofet më të rëndësishme të filozofisë indiane shkruan një libër mbi konceptin e Darmës. Në këtë libër ajo shpjegon Darmën dhe ligjësitë e saj nga një perspektivë njëkohësisht teorike dhe praktike, duke hedhur dritë te disa nga pyetjet më ekzistenciale të vetë njeriut në lidhje me lumturinë dhe kuptimin e jetës.
Këtë libër kaq të rëndësishëm të filozofisë indiane Botime Akropoli i Ri e sjell për herë të parë në shqip. Leximi i tij do i shërbejë lexuesit si një udhëzues për hapjen e horizonteve të reja, sa praktike aq edhe mistike në raport me vetveten.