Reali i Madridit pritet të kryejë një revolucion të vërtetë në fund të këtij sezoni. Ajo që është ende në pikëpyetje janë emrat të cilat do të mbërrijnë në kryeqytetin spanjoll, por sigurisht dhe ata që do të largohen.

Sipas asaj që raporton “AS”, Reali pritet të investojnë plot 540 milionë euro në merkaton e verës. Deri tani dihet se Militao nga Porto do të jetë i madrilenëve. Ai i ka kushtuar klubit 50 milionë euro.

Një emër që është përfolur gjatë është ai i Pol Pogbasë, operacion që do të kushtojë të paktën 150 milionë euro. Ndërkohë tjetër emër është ai i Eden Hazard, që pritet të mbërrijë për 112 milionë euro në Madrid.

Përforcimi i mesfushës do të vazhdojë me një dëshirë të vjetër, Cristian Eriksen i Tottenhamit. Fantazisti do t’i kushtojë Perezit mbi 100 milionë euro, por nëse Tottenham shkon në finale të Ligës së Kampionëve, vlera e tij pritet të rritet ndjeshëm.

Ndërkohë, një emër i ri është shfaqur në “orbitën” e ekipit të Zidane. Ai është Tangu Ndombele, 22-vjeçari i Lyonit, i cili ka një çmim fillestar prej 80 milionë eurosh.

I fundit në dëshira është Luka Joviç, 21-vjeçari i Frankfurtit, që do të kushtojë të paktën 60 milionë euro.

Për sa i përket largimeve, më i sigurti nga ekipi duket Bale, por vlen të theksohet edhe shitja përfundimtare e të huazuarve, James Rodrigues dhe Kovacic.