Nëse Masimiliano Alegri e pranoi hapur se kishte refuzuar dhe falënderuar presidentin Florentino Perez, pas ofertës për të marrë drejtimin e skuadrës, tashmë Reali i Madridit e ka gjetur trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm, Hulen Lopeteguin, por ndërkohë media spanjolle nënvizon se ka qenë edhe një trajner tjetër që u kishte thënë “po” kampionëve të Europës, por u refuzua nga… Serxho Ramos.
Sipas të përditshmes “El Pais”, pasi ka marrë refuzimin e juventinit Alegri, “bosi” Perez ka biseduar personalisht me trajnerin e Çelsit, Antonio Konten, i cili i shprehu gatishmërinë për të marrë përsipër këtë detyrë. Por, teksa ia ka komunikuar kapitenit të ekipit këtë lajm, Serxho Ramosit, mbrojtësi i ka kërkuar dy ditë kohë presidentit të tij që të vendosë.
Futbollisti që aktualisht është i impenjuar në Kupën e Botës në Rusi, ka marrë informacione menjëherë te bashkatdhetarët e tij që luajnë në radhët e bluve të Londrës, si Morata, Fabregas, Pedro, Azpilikueta dhe Alonso dhe që të gjithë i kanë nënvizuar faktin se Antonio Konte është një gjeneral i hekurt dhe duke parë idenë e lojës sulmuese që i kërkohet Realit të Madridit nga ana e tifozërisë së tij, atëherë trajneri italian nuk ishte profili i duhur për “galaktikët”.
Të gjitha këto informacione të grumbulluara nga Ramos iu pasqyruan Florentino Perezit dhe në këtë mënyrë, mbrojtësi dhe kapiteni i spanjollëve vuri veton që Konte të mos zbarkonte në “Santiago Bernabeu”, derisa më pas u gjet akordi me Hulen Lopeteguin, i cili braktisi kombëtaren spanjolle, 24 orë përpara debutimit në “Rusi 2018”.