Teksa dukej se çështja e trajnerit të Polonisë ishte zgjidhur dhe vendi do t’i besohej teknikut De Biazi, që më parë ka drejtuar edhe kombëtaren shqiptare, gjithçka ka ndryshuar në momentet e fundit.

Një situatë e ngjashme është përsëritur edhe disa kohë më parë me trajnerin italian, që ishte shumë afër marrëveshjes me “axurrët”, por në momentet e fundit ndryshoi vendimi i drejtuesve italianë. Tashmë De Biazi rikthehet të komentojë situatën e tij në “RMC Sport”, ndërsa duket i dorëzuar dhe dëshpëruar pas vendimit të fundit të polakëve.

“Më duket sikur më kanë shkarkuar. Përpara dy vitesh unë isha shumë afër Italisë dhe një tjetër situatë e ngjashmë u përsërit. Isha thuajse trajneri i Polonisë, kur presidenti Boniek bëri një tjetër zgjedhje.

U ndieva i zhgënjyer. Do të dëshiroja që ai të më merrte në telefon dhe të më tregonte të vërtetën, jo ta mësoja atë nëpërmjet mediave. Nuk kam më preferencë mes klubit dhe kombëtares, tashmë dua vetëm të rikthehem të drejtoj një ekip dhe ta ndihmoj që të arrij objektivat”, ka thënë De Biazi.