Delegacioni shqiptar, i cili po merr pjesë në punimet e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, po lobon edhe për të fituar mbështetje për çeljen e negociatave të anëtarësimit në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian.

Dy javët në vijim janë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Ndaj deputetët e Kuvendit, anëtarë të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, gjatë punimeve të Asamblesë në Strasbourg, po bëjnë të njohura në grupimet parlamentare dhe anëtarët e Asamblesë arritjet dhe reformat e Shqipërisë në rrugën drejt Europës. Deputetët Klotilda Bushka, Eglantina Gjermeni dhe Ervin Bushati, u shprehën deputetëve të Bundestagut Gjerman, të cilët janë anëtarë të Asamblesë, mirënjohjen e kolegëve të Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë në perspektivën europiane. Të njëjtën mbështetje kërkuan dhe morën edhe nga kolegët e vendeve të tjera, anëtare të BE. Deputetët Bushka, Gjermeni dhe Bushati kanë marrë vlerësime të sinqerta, pozitive dhe inkurajuese për reformat rrënjësore, veçanërisht reformën në drejtësi, dhe luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Në këtë sesion në rend dite ka qenë dhe miratimi i kandidaturave të Shqipërisë në Komitetin për parandalimin e torturës (CPT). Kuvendi i Shqipërisë është përgëzuar për procedurën e ndjekur dhe standartin e vendosur. Nënkomiteti i të drejtave të Njeriut në Asamble miratoi listën e kandidatëve të propozuar nga Shqipëria, të cilën ia kaloi Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për zgjedhjen e përfaqësuesit të vendit tonë në CPT.

Punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilat përkojnë me 70 vjetorin e Këshillit të Europës, i përshëndeti edhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron si dhe personalitete nga BE, OKB dhe vendet anëtare. Punimet do të vijojnë deri në fund të kësaj jave.