Autobusi me 40 gjimnazistë që u aksidentua mbrëmë në kthesat e Qafë Thanës ka qenë duke lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar. Bazuar nga informacionet nga grupi hetimor, autobusi ka qenë duke ecur me 75 km/ h në momentin që është futur në kthesën që u aksidentua, ndërkohë që në atë pjesë të segmentit shpejtësia e lejuar ishte 40 km/ h.

Jo vetëm në kthesën që aksidentua, por edhe gjatë lëvizjes nga Pogradeci dhe deri në Qafë Thanë ku doli nga rruga, autobusi sipas të dhënave ka qenë me shpejtësi. Rezultatet për shpejtësinë kanë dalë nga analizimi i tahografit, pajisje e montuar në bordin e automjetit dhe shërben për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjetit.

Ndërkohë që segmenti ku autobusi u përplas me bordurat metalike nuk ka sinjalistikë rrugore.  Në pamje duken shenjat e gomave kur autobusi ka frenuar, por shoferi nuk ka arritur që ta mbajnë brenda korsisë duke u përplasur me bordurat.