Persona ende të paidentifikuar kanë bastisur Prokurorinë e Durrësit, duke vjedhur materialet në zyrat e prokurorëve.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa denoncimi është bërë nga pastruesja e këtij institucioni, e cila gjeti dyert e dëmtuara.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për Ora News se autorët dyshohet se janë të brendshëm, pasi kanë hyrë nga dera kryesore, ndërsa dyert e brendshme janë hapur nëpërmjet kartës me çip, që e kanë të gjithë punonjësit.

Sipas burimeve, krahas dokumenteve dhe dosjeve, është vjedhur edhe serveri qendror.

Por nuk dihet se cilat dosje dhe materiale janë vjedhur.

Për momentin po bëhet inventari i të gjitha zyrave për të evidentuar sasinë dhe llojin e materialeve të vjedhura nga Prokuroria.

Një nga zyrat e vjedhura është ajo e prokurorit të Task-Forcës në Prokurorinë e Durrësit, Afrim Shehut, dhe një oficeri.

Në Prokurorinë e Durrësit ndodhen dosje të korrupsionit, trafikut të narkotikëve dhe të trafikut të qënieve njerëzore.

Policia ka urdhëruar që asnjë punonjës të mos hyjë brenda.

Ndërkohë po kqyren kamerat e sigurisë dhe po merren shenjat e gishtërinjve, për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.

Kjo është hera e dytë që vidhen materialet në zyrat e Prokurorisë së Durrësit.

Në datën 8 maj dy persona grabitën postierin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe i morën disa materiale që ai kishte tërhequr nga posta.