Në kuadër të nisjes së vitit të ri shkollor, Fondi Arkivor Online i Ministrisë Për Europën dhe Punët e Jashtme, sjell në vëmendje përpjekjet që u bënë për konsolidimin e arsimit shqiptar, jo vetëm brenda kufirit që mbeti pas vitit 1921, por edhe jashtë Shqipërisë dhe në trevat shqiptare.
Kjo ishte një nga detyrat më të rëndësishme të qeverisë shqiptare.
Në një qarkore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të vitit 1928 për legatat dhe konsullatat shqiptare jashtë vendit theksohej fakti që “.. Arsimi kombëtar është një çështje themelore e kryesore për shtetin tonë e prandaj duhet të përparojë sa më shumë për naltësimin e qytetërimin e Kombit tonë, kështu që ndihma që ka për të dhanë secili duhet të sjellë një gëzim të veçantë në shpirtin e në zemrën e tij.
Krahas arsimit në vend, përpjekje të përbashkëta u bënë dhe për mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit. Ambasadat luajtën rolin e kujdestarisë ndaj studentëve shqiptarë që studionin jashtë vendit me bursë të shtetit shqiptar. Legatat shqiptare kontribuan jashtëzakonisht në ngritjen dhe funksionimin e shkollave shqipe në trevat shqiptare që mbetën jashtë kufijve tanë politikë.
Kontributi i legatave dhe konsullatave shqiptare në zhvillimin e arsimit kombëtar shqiptar në vitet ’20 –të të shekullit të kaluar
Në kohët e turbullta në rajon e më gjerë, menjëherë pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve Paris 1921, ku ndër të tjera u rikonfirmua edhe statusi e kufijtë e shtetit shqiptar, një ndër detyrat shumë të rëndësishme të qeverisë shqiptare është edhe zhvillimi dhe konsolidimi i arsimit kombëtar shqiptar.
Në një qarkore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të vitit 1928 për legatat dhe konsullatat shqiptare jashtë vendit theksohej fakti që “.. Arsimi kombëtar është një çështje themelore e kryesore për shtetin tonë e prandaj duhet të përparojë sa më shumë për naltësimin e qytetërimin e Kombit tonë, kështu që ndihma që ka për të dhanë secili duhet të sjellë një gëzim të veçantë në shpirtin e në zemrën e tij.”( V.1928, D.281). Në vitet 20’-të të shekullit të kaluar vihet re një bashkëpunim mjaft i ngushtë dhe përpjekie të përbashkëta midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Arsimit për të gjetur mundësi financimi dhe mbështetjeje metodologjike për arsimin shqiptar brenda vendit dhe në të gjitha njësitë arsimore ku mësohej gjuhë shqipe jashtë vendit. Në një korrespondencë të Ministrisë së Arsimit me Ministrinë e Jashtme në vitin 1922 ku kërkohej bashkëpunim për shkollat shqipe jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar thuhej “.. Detyra më e madhe dhe e shenjtë e Ministrisë sonë, por edhe e Shtetit, asht qi populli të ketë një kulturë kombëtare, asht qi populli të ndiejë se asht shqiptar; kët qëllim përpiqemi t’a arrijmë me të vetmin mjet që kemi, d.m.th. me shkolla”(V.1922, D.163.).
Për realizimin e këtij qëllimi kombëtar, roli i legatave dhe konsullatave shqiptare jashtë vendit ishte i pazëvendësueshëm. Në dokumentacionin arkivor që hidhet këtë javë online, demostrohet qartë ky kontribut i cili shfaqet në disa drejtime:
Në kuadër të reformave për evropianizimin e jetës në vend, përfaqësitë diplomatike e konsullore jashtë vendit sigurojnë programe mësimore perëndimore nga shkollat analoge me ato në Shqipëri. Tipik është rasti i Shkollës Normale në Elbasan dhe programeve që mori nga Shkolla Normale në Paris nëpërmjet legatës shqiptare atje. Diplomatët që shërbenin jashtë vendit shpesh sillnin përvojat që ndeshnin jashtë mbi arsimin profesional dhe e propozonin pranë qeverisë shqiptare si një risi të domosdoshme për perspektivën e zhvillimit të ekonomisë në vend. ( V.1924. D.451)
Ambasadat luajtën rolin e kujdestarisë ndaj studentëve shqiptarë që studionin jashtë vendit me bursë të shtetit shqiptar.
Legatat shqiptare kontribuan jashtëzakonisht në ngritjen dhe funksionimin e shkollave shqipe në trevat shqiptare që mbetën jashtë kufijve tanë politikë, por edhe në shkollat shqiptare në shtetet ku kishte diasporë shqiptare. Shteti shqiptar i financoi këto shkolla të kolonive shqiptare jashtë kur ato rrezikoheshin të mbylleshin për shkak të pamundësisë së financimit.
Legatat shqiptare u përpoqën shumë të gjenin edhe mbështetje financiare nga institucionet ndërkombëtare të arsimit për zgjerimin e rrjetit të shkollave në Shqipëri si dhe u përpoqën të krijojnë lidhje ndërmjet shkollave në Shqipëri me simotrat e tyre jashtë vendit. Ata shpërndanin në institucionet jashtë “Revistën Pedagogjike” që botohej në këtë kohë në Shqipëri.
Kontribut të madh dhanë përfaqësitë tona diplomatike edhe në organizimin e diasporës shqiptare jashtë për të mbledhur ndihma financiare për arsimin në Shqipëri, për ngritjen e shkollave të reja apo përmirësimin e kushteve në shkollat ekzistuese. Një shprehje e solidaritetit kombëtar në arsimimin e fëmijëve shqiptarë ishin edhe ndihmat financiare që legatat arritën të siguronin nga bashkëpunimi i tyre me diasporën shqiptare për nxënësit që vinin nga familjet e varfra e pa burime ekonomike.
Shteti shqiptar nëpërmjet trupit diplomatik jashtë vendit financoi edhe seksione ku mësohej gjuha shqipe pranë universiteteve evropiane. Një ndër to ishte edhe Shkolla e Gjuhëve Orientale në Paris, ku mësohej edhe gjuha shqipe.
Për të gjitha këto problematika e të tjera të ngjashme, MEPJ fton të gjithë të interesuarit që të konsultohen me dokumentacionin arkivor të hedhur on line në rubrikën e kësaj jave kushtuar arsimit tonë kombëtar.