Nga Mira Kazhani/ E shtuna nisi sot dembelshëm, denjësisht për një ditë gri. Edi Rama s’iu nda dëfrimit të vetes me memet e videot në Instagram, ku Lulzim Basha desh na u rrëzua e Monika desh e u ngatërrua.

Studentët, aq sa kanë mbetur, më shumë policë se sa ata, vazhdojnë protestën e tyre në qiell të hapur! Partia e Lulzim Bashës kreu kuvendin e saj nën qiellin e yjeve të betonit të Pallatit të Kongreseve.

Çfare nuk dëgjova sot teksa mami nisi të gatuante presh për drekë. Ca fjalime si vallëzim me prasin.

Së pari dua të jem e qartë që këto vendgrumbullimet e partive janë bërë më të shpifura se çdo vendgrumbullim tjetër. Ka një degradim e mungesë të theksuar personalitetesh, fjalimesh, energjie, por sidomos morali: ky i fundit nuk para fle me politikën dhe Grida e qau sot kur tha të vërtetën e madhe “Ne flemë me mëkatin”. Ose të paktën unë e mora kështu, se nuk di për çfarë ka dashur ta thotë këtë Grida Duma. Pastaj pedagogu kaçurrels që shihnim në protestë, doli në podium. Pra paska qenë edhe ky i PD-së!

Për dreq, 9 a më shumë vetë u dorëhoqën me dëshirë të madhe nga lista e Bashës, si për të na bindur ne se ky ishte kuvendi i dorëheqjeve. Kuvendi i dorëheqjeve të studentëve të Dhjetorit të parë, të themeluesve, të Forumit Rinor Demokratik, të Zëdhënëses së Sali Berishës. Ishte Kuvendi i përjashtimit si armiq të demokrateve të 25 viteve: Themelues e qëndrestarë! Ishte kuvendi ku fluturonin frazat e Grida Dumës, “ne jemi e ardhmja dhe jo studentët”

Kuvendi, ku një lider si Basha nuk e mendon se të thuash se besimin e njerëzve të PD-së e ka ulur Edi Rama, është si të kesh shef Edi Ramën, kundërshtarin e Partisë Demokratike. Sa më shumë ndiqja Kuvendin e PD, me tmerrin e logjikës dhe paaftësinë e mesazheve, bindesha se Lulzim Basha ishte sot dëshmitar i të njëjtës përshpirtje që ia përsërit vetes pa pushim. Me të njëjtin ton të përzishëm, të pashpresë, me atë gjendjen e tij të veçantë të gënjeshtrës së përhershme që rrezikon të jetë e ardhmja jo vetëm e studentëve por edhe PS, LSI, e po deshët ju edhe e partive që ende nuk ekzistojnë. Me atë që pashë e dëgjova sot, mirë të sotme nuk kemi, po as e nesërmja nuk vjen.

Pfff sa keq, e shtunë prasi me pak fjalë./Tiranapost.al