Nga Arbër Metuku/

“Eposi i Kreshnikëve”, quajtur ndryshe “Cikli i Kreshnikëve” apo “Cikli i Mujit dhe Halilit”, është dhe qëndron solid si një nga trashëgimitë më të hershme kulturore dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Studime të ndryshme theksojnë se eposi mund ta ketë lindjen e tij rreth shekullit VI p.k duke bërë një deduksion në raport me tematikat dhe simbolikat që vepra paraqet.

Që të mund të paraqitet një analizë letrare dhe filozofike mbi Eposin lind nevoja substanciale e shpjegimit paraprak të konceptit “mit” dhe rëndësisë që ky bart në vetvete përgjatë rrjedhës së guximshme të historisë, pasi vetë Eposi përmban një pasuri të larmishme figurash mitologjike në përbërjen e tij.

Ky koncept e ka burimin dhe vlerën që nga periudhat më të lashta, ndaj sot, në larminë e kulturës së qenies njerëzore kemi mitologji greke, romake, egjiptiane, indiane etj. Nëpërmjet një arsyetimi të thjeshtë është e qartë se mitet , për nga natyra e tyre dhe natyra e pyetjeve të cilat ngrenë, kanë qenë dhe mbeten bazament i identitetit të njeriut. Fuqia e miteve nuk qëndron në faktin se arrijnë të shpjegojnë të vërteta të kulluara, por lënë hapësirën që secili prej nesh të mund të interpretojë pjesën e dukshme dhe rrjedhën e tregimit në mit, në mënyrë që të mund të arrijë vetë përmes dimensionit simbolik tek përgjigje metafizike dhe të padukshme. Thyerja e kohë – hapësirës që arrijnë të kryejnë mitet, na lejon të kuptojmë se përtej realitetit fizik apo psikologjik që bartin, faktorë mbi të cilët mund të bëjmë një analizë sociologjike, mitet bartin në vetvete edhe një realitet universal mbi qenien dhe zhvillimin e saj, faktor ky që arrin ti bëjë mitet aktualë në sytë tanë edhe në ditët e sotme.

Me të njëjtën lloj qasjeje do arsyetojmë mbi eposin tonë kombëtar dhe vlerat e tij. Së pari, që nga titulli, “Eposi shqiptar i Kreshnikëve”, siç del edhe nga kuptimi që ka marrë fjala Kreshnik, është një epos heroik. Këto këngë janë jehonë poetike disa shtresore e jetës së përbashkët, por edhe e konflikteve shekullore ndëretnike. Ama, këtu heroizmi nuk transmetohet si diçka e jashtme, si mburrje apo si mjet për të tërhequr simpatinë e dikujt por paraqitet si një mënyrë mendimi, sjelljeje dhe veprimi brendësor. Kjo paraqitje vendos në qendër të sistemit të së gjithë vlerave trimërinë, vetësakrificën e virtyte të tjera, të cilat i quan atribute të pandara të një mjedisi shoqëror i cili jeton në bazë të parimeve dhe vlerave.

Në këngët e eposit, mund të vërejmë se Muji, figura heroike e eposit, përfaqëson dhe mban mbi supe tërësinë e vlerave metafizike, virtyteve dhe kodeve me të cilët dija universale shprehet. Mund të përmendim këtu vetësakrificën, përgjegjësinë, vullnetin, guximin, trimërinë, nderin dhe drejtësinë të cilat i atribuohen natyrës mashkullore (jo në kontekstin gjinor) ose pjesës dhënëse tek njeriu. Motivi kryesor, i cili është karakteristikë e çdo miti apo eposi dhe prodhon figurën heroike në kontekstin e ndërveprimit njerëzor, është përgjegjësia dhe mbrojta që Muji duhet të konsolidojë për njerëzit që e rrethojnë. Nëse do e shihnim pak më gjerë, kuptojmë që kjo është mbrojtja e kulturës, vlerave dhe parimeve të një mjedisi shoqëror ose më saktë mbrojta universale e diturisë. Është një dimension paralel i veprimtarisë brendësore “sokratike”.

Një figurë tjetër heroike është Muji, vëllai i Halilit. Ai është figura e cila përfaqëson heroin e ri ndaj shfaqet i nxituar dhe “trazovaç”. Pra, i mungon përgjegjësia në aktet që kryen, pasi e përshkon vrulli i heroit në rini. Këto dy figura për nga mënyra si ndërtohen si personazhe, na lejojnë të bëjmë një paralelizëm legjitim të eposit të kreshnikëve me historinë e hershme të Trojës. I referohemi personazhit të Hektorit dhe Paridit.

Figurë tjetër e cila vlen të shqyrtohet është Ajkuna. Ajkuna përfaqëson dhe kanalizon më së miri natyrën femërore në epos. Përgjatë këngëve, vëmë re që së jashtmi ajo shfaq ngrohtësinë dhe dashurinë femërore, ndërsa së brendshmi, shfaq karakterin e fortë dhe qëndrueshmërinë që mund të kultivojë femra. Virtytet që e karakterizojnë janë bashkimi dhe dashuria. Gjithashtu arrijmë të vëmë re se kur kreshnikët nisen për në luftë, nuk shqetësohen për vendin që lënë pas, pasi kanë krijuar marrëdhënie të vërtetë midis natyrës së tyre dhe natyrës femërore.

Fakti që mund ta interpretojmë eposin sot dhe ta shohim aktual në aspektin e dijes, virtyteve, vlerave individuale e komunitare, ka një domethënie të rëndësishme për secilin prej nesh dhe për të gjithë ne. Ky është një tregues i qartë që mund të prodhojmë shembuj individualë tek të cilët mund të referohemi, në mënyrë që secili prej nesh nëpërmjet intelektit të zbulojë dhe të qaset drejt këtyre vlerave duke ndërtuar një udhë për tek dija, udhë e cila përbëhet nga lëndë tërësisht njerëzore, por esenciale.

Ashtu siç filozofi i lashtë Konfuçi thotë “Që të mund të ndryshojë shoqëria në të cilën jetojmë, duhet të ndryshojë secili prej nesh vetveten më parë”.