Qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen pa viza, pasi janë përmbushur kushtet, por kjo procedurë po vonon shumë’. Kështu është shprehur raportuesja për liberalizmin e vizave në Parlamentin Europian Tanja Fajon, me zhgënjim të madh pasi sipas saj po tregohet mungesë vullneti. Fajon kërkoi që Institucionet e Kosovës ti bëjnë kërkesën direkt vendeve anëtare të BE dhe jo thjesht institucioneve të Parlamentit Europian.

“Unë jam e hidhëruar dhe e zhgënjyer, pasi Kosova i ka përmbushur kushtet… qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave, sepse ata e kanë bërë punën e tyre. Ne si institucione të BE-së kemi bërë shumë presion te kosovarët që ata të përmbushin kërkesat, ato janë përmbushur dhe komisioni e ka pranuar këtë. Sa i përket institucioneve të BE-së Kosova e ka dritën e gjelbër dhe tani është në dorën e qeverive të BE-së. Presidenca austriake nuk do ta ketë në axhendë çështjen e liberalizimit të vizave, dhe nuk pritet ta bëjë as presidenca rumune 2019-20. Kjo do të thotë jemi duke humbur shumë kohë”.

Fajon përmendi dy vende, Francën dhe Gjermaninë, si dy qeveritë kyçe ku është bllokuar procesi i liberalizimit. Këto komente, ajo i bëri duke folur nga paneli ku po mbahet Konferenca “BE dhe Ballkani Perëndimor”, të organizuar nga “Think Tank”, “Friends of Europe”./ Tiranapost.al.