Ekipi kombëtar i Kosovës ka arritur të sigurojë fitore të rëndësishme, me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe i jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020.

“Ky ishte mentaliteti i duhur, e treguam punën e përbashkët. E kemi parë një skuadër të jashtëzakonshme kundër në rivali shumë të mirë dhe ne duhet të jemi shumë krenar për punën dhe gjithçka që dhanë futbollistët në fushë”, u shpreh Challandes.

“Topat që i larguam nga vija fatale e portës na motivuan. Ne nuk kemi skuadër të dytë, unë mund të sjell edhe lojtarë të tjerë që luajnë në sulm dhe mesfushë, nëse na mungojnë një, dy apo tre të tjerë”.

“Skuadra e jep reagimin si skuadër dhe kjo më gëzon mua. Kundërshtari ishte shumë i fortë, ne mundoheshim ta mbajmë topin”.

Nga katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kosova ka siguruar dy fitore – kundër Çekisë dhe Bullgarisë – dhe dy barazime – kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.