Misioni historik dhe i suksesshëm i Apollo 11 mund të kishte dështuar. Bota përkujtoi pak ditë më parë 50-vjetorin e zbritjes së njeriut të parë në Hënë, por ajo që shumë mund të mos e dinë është fakti se presidenti amerikan e kishte gati fjalimin në rast se gjërat nuk shkonin siç ishte parashikuar.
Në atë kohë, fjalimet për presidentitn Richard Nixon i shkruante William Safire, i cili kishte përgatitur një fjalim në rast se astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin nuk do të arrinin të ktheheshin nga Hëna.
Fatmirësisht, ky fjalim nuk u mbajt kurrë. Ai u zbulua në vitin 1990 nga autori dhe gazetari James Mann. Fjalët e përzgjedhura ishin shpresëdhënëse në një rast katastrofe potenciale.
Fjalimi i përgatitur për në rast të moskthimit të dy astronautëve përfshin udhëzime sesi presidenti duhej t’u telefononte secilës nga bashkëshorteve të tyre.
“Gjatë eksplorimit të tyre, ata i nxitën njerëzit në të gjithë botën të ndjehen si një trup i vetëm; me sakrificën e tyre, ata e lidhën më fort në vëllazëri të gjithë njerëzimin”, shkruan Safire në fjalim.
“Të tjerët do të ndjekin dhe me siguri do ta gjejnë rrugën për në shtëpi. Njeriut nuk do t’i mohohet dëshira për eksplorim, por këta njerëz do të mbeten të parët dhe më kryesorja, do të mbeten përjetë në zemrat tona”.
Frank Borman, ndërlidhës i NASA-s në Shtëpinë e Bardhë, e kishte paralajmëruar Safire një muaj përpara misionit që të mendonte për një qëndrim alternativ të Presidentit në rast aksidenti me Apollo XI. Këtë fakt e tregon vetë Safire në librin e tij “Para rënies: Një panoramë nga brenda e Shtëpisë së Bardhë para Uotergejtit”.
Skenarët në rast dështimi parashikoheshin të ishin një shpërthim i mjetit ose bllokimi në Hënë. Nëse bllokoheshin, astronautët mund të kryenin vetëvrasje ose të vdisnin nga uria.
Në fakt, disa misione hapësinore të NASA-s kanë përfunduar në katastrofë.
Të tre astronautët e “Apollo 1” vdiqën, duke përfshirë edhe amerikanin e parë që doli në hapësirë, Ed White. Kjo ndodhi për shkak të një zjarri që shpërtheu dhe u përhap në mjedisin me oksigjen të pastër gjatë një simulimi.
Në vitin 1986, mijëra njerëz u bënë dëshmitarë të shpërthimit të anijes kozmike “Challenger”, më pak se dy minuta pas ngritjes, çka përfundoi me vdekjen e ekuipazhit prej shtatë anëtarësh.
Në katastrofën e Kolumbias mbetën të vdekur një ekuipazh prej shtatë anëtarësh në vitin 2003, kur anija kozmike shpërtheu sapo hyri sërish në atmosferën e Tokës. NASA ndaloi të gjitha programet hapësinore për dy vjet pas tragjedisë.
Presidenti i SHBA, Xhorxh W. Bush, iu drejtua kombit të njëjtën ditë me një fjalim në të cilin u shpreh se ishte e lehtë të “lihen pas rreziqet e udhëtimit me raketa”. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /