“Do të bëj ndryshime”. Ky ishte premtimi i sotëm i Kristian Panuçit në konferencën për shtyp, para asaj që mund të jetë ndeshja e tij e fundit në stolin kuqezi. Ashtu ka ndodhur, pasi ndaj Uellsit pritet që të ketë ndryshime në çdo repart në krahasim me ndeshjen e luajtur kundër Skocisë.

Sipas SuperSport, i pari është në portë, ku mes shtyllave kthehet Strakosha në vend të Berishës i cili luajti kundër skocezëve. Më pas, në mbrojtje do të ketë lëvizje të mëdha, me kthimin e Hysajt në të djathtë, ndërsa Veseli do të spostohet në qendër, përkrah Ismajlit. Dermaku, meqë ka të majtën këmbën e preferuar, do të sforcohet duke luajtur në krahun ku mungon Binaku për shkak dëmtimi dhe nuk ka alternativa të tjera.

Ndërkohë, në mesfushë mbijeton vetëm Memushaj, i cili me siguri do të bëjë vetëm një pjesë loje. Titullar kthehet edhe Kaçe i cili luajti deri në momentin kur Mavraj mori kartonin e kuq dhe u sakrifikua për Dermakun. Ndërkohë, i treti në qendër do të jetë Migjen Basha, i cili pushoi për pezullim ndaj Skocisë. Në krahët e sulmit, Uzuni e nis si titullar, ndërsa ka balotazh Grezda/Gavazaj deri në fund, kurse në sulm do të jetë Balaj personi që do të zbresë në fushë nga minuta e parë.