Në Muzeun Historik Kombëtar publiku kryeqytetas po shijon rrugëtimin 60-vjeçar të krijimtarisë plot emocion dhe pasion të artistit Perikli Çuli përmes ekspozitës “Universi”.
Këtë ekspozitë e vizitoi pasditen e djeshme ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se kjo ekspozitë të çon në një tjetër dimension.
“Kur hyn në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, të duket vetja sikur po hyn në një tjetër dimension. Planeti i artit, i dashurisë, është aty. Është një krijimtari e tërë, krijimtaria e skulptorit Perikli Çuli, i cili ka derdhur aty gjithë jetën e tij. Pata kënaqësinë , ta kisha guidë në “Universin” e tij 60-vjeçar”, tha Margariti.
Margariti u shpreh se , “po aq e kënaqur që kishte aq shumë vizitorë shqiptarë e të huaj. E pamundur t’i tregosh e mësosh të gjitha, shumëçka mbetet në misterin e krijimit”.
Profesor Çuli, në këtë ekspozitë paraqet një sintezë shumë interesante të shprehjes së tij artistike.
Punimet në mermer tregojnë në mënyrë bindëse se me çfarë përkushtimi e dashurie i ka impenjuar autori bindjet e tij estetike, për të dhënë emocione nëpërmjet kërkimeve skulpturore, që paraqesin interes të veçantë drejt një arti ku zotërohet fantazia, plastika, konsekuenca drejt formimit që është pjesë përbërëse e “unit artistik” të këtij individualiteti.