Ekskluzive / Historia e panjohur e familjes së famshme shkodrane Çeka, që njihet ndryshe me mbiemërin Suma, ku më 23 prill të vitit 1895, pas një propozimi të Ministrisë së Jashtme të Francës që ia kishte dërguar Konsulli i saj në Shkodër, Hekardt, i pari i saj, Mikel Çeka u dekorua me Medalje Ari nga Presidenti i Francës, Feliks More, me motivacionin: “Për shërbimet e bëra për interesat franceze nga 1856 në 1895, si përkthyes e ndihmës i Konsullit francez në Shkodër”. Si u ruajt deri në ditët tona shtëpia e madhe e Çeka-jve që ndodhet te Arra e Madhe e cila është një muze i gjallë me relike, dokumente, foto, objekte etj, ku pasqyrohet e historia e asaj familje dhe pinjollët e saj që bënë emër të madh edhe në Evropë

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Shtëpia mbi 200-vjeçare e Çekajve te Arra e Madhe në Shkodër

Shtëpia e Çeka-jve, e cila mendohet se është ndërtuar më shumë se dyqind vjet më parë, ndodhet diku në Lagjen Arra e Madhe të qytetit të Shkodrës në Rrugën “Vaso Pasha” dhe ajo ndërtesë në tërë kompleksitetin e saj, duke përfshirë konstruksionin dhe vlerat historike që mbart, pa e tepruar mund të themi se është unike në Shqipëri. Aty në atë shtëpi-fortesë të rrethuar me mure të larta, banojnë së bashku me familjet e tyre, dy vëllezërit Engjëll dhe Mikel Çeka, të cilët janë dhe pinjollët e fundit të Çekejve që njihen si ndër më të vjetrit e qytetit të Shkodrës. E ndodhur përballë me konviktin e shkollës së Gjuhëve të Huaja, shtëpia e madhe dy katëshe e Çeka-jve nga pamja e jashtëme nuk të ngjall ndonjë kureshtje të madhe, pasi sheshpamja e saj pengohet nga muri rrethues tipik për Shkodrën dhe disa qytete të tjera shqiptare të ndërtuara në atë periudhe kohe.

Por gjithshka ndryshon kur futesh brenda dhe vetja të duket sikur je në ndonjë Muze Etnografik apo kështjellë të vjetër mesjetare, të cilat shumë rrallë i ndesh në qytetet tona. Veç të tjerash në dhomat e sipërme të asaj shtëpie me hapësira të bollshme ku gjithëçka është e gdhendur në dru nga mjeshtrat shkodranë, këtu e dyqind vjet të shkuara, janë të ekspozuara edhe disa orendi, relike, objekte, foto dhe dokumente të rralla që hedhin dritë mbi historinë dhe pinjollët e saj që u nderuan dhe u vlerësuan edhe nga shteti francez që nga gjysma e dytë e shekullit të XVIII-të.

Që nga ajo kohë e largët, ajo shtëpi tipike shkodrane ka humbur shumë nga origjinaliteti dhe formën e saj të parë vazhdon ta ruaj ende vetëm njëra nga dhomat ku çdo gjë është e paprekur që nga shekulli i kaluar. Aty mbizotëron tavani i varur me gdhëndje dhe oxhaku i madh i stolisur me ornamente e deri sëndyku i pajës apo siç njihet ndryshe nga shkodranët e vjetër si “Arka e Venedikut”, nga që familjet e pasura aristokrate të asaj kohe e blinin pajën e nuses në Itali. I gjithë ansambli akitekturor që mbizotëron aty, që nga ndërtimi dhe zbukurimet me gdhëndje në dru, e deri tek mobiljet e reliket e vjetra të ruajtura me shumë kujdes prej më shumë se dy shekujsh, e detyruan Institutin e Monumenteve të Kulturës, që në vitin 1966 atë shtëpi ta shpallnin Monument Kulture.

Ndonëse me profesion ekonomist, por me një pasion prej historiani për t’u admiruar, Engjëll Çeka prej vitesh ka hulumtuar ndër arkiva, biblioteka dhe në shtypin e kohës, duke nxjerrë dhe skeduar pothuaj të gjitha ato çka janë shkruar dhe thënë rreth trungut të familjes së tij, të cilat së bashku me dokumentet e tjera dhe reliket e rralla që disponon ajo familje, përbëjnë një pjesë të gjallë të historisë jo vetëm të Çeka-jve, por dhe të atij qyteti me tradita të lashta.

Origjina, dinastia dhe trashëgimia e familjes Çeka (Suma)

Lidhur me origjinën e herëshme të familjes Çeka apo siç njihen ndryshe edhe me mbiemrin tjetër Suma, janë bërë disa hulumtime nga studjues të ndryshëm, por ai që i ofrohet më tepër së vërtetës dhe konsiderohet nga më të saktit, është ai që ka bërë studjuesi i njohur shkodran Emil Shiroka në vitin 1984, i cili përveç dëshmive të ndryshme gojore dhe hipotezave që janë trashëguar ndër disa breza si të vetë asaj familje ashtu dhe atyre të tjera shkodrane, është mbështetur gjithashtu mbi dokumenta të ndryshme arkivore dhe iu është referuar studimeve të tjera që janë bërë më përpara rreth kësaj familje. Sipas studimit të Emil Shirokës, thuhet se origjina e herëshme e familjes Çeka, është nga lagjija Bojej e fshatit Sumë që sot është nën juridiksionin e Postribës në Malësinë e mbi Shkodrës.

Kur turku shkeli për herë të parë dhe e pushtoi Shkodrën (bashkë me Kalanë e saj) e cila asokohe shtrihej afër Lumit Bunë dhe Liqenit të Shkodrës, pjesa më e madhe e popullsisë së këtij qyteti me burra gra fëmijë dhe pleq emigruan për në Itali duke u larguar nga Liqeni në Bunë dhe në Detin Adriatik. Kurse disa familje të tjera u ngjitën lart në bjeshkë të Malësisë së Shkodrës. Në atë kohë thuhet se ndër të vetmit që qëndroi në qytet dhe nuk u largua që andej, ishte një pasanik i madh shkodran, të cilit Venediku e thërriste me emrin Çeka, që ka kuptimin e fjalës “qarë”.

Një nga interpretimet e ndryshme që i bëhet kësaj fjale, ndoshta dhe ajo më e sakta, është se ai njeri kishte fituar shumë dhe ishte bërë i pasur duke “lozur me qarin”. Ky njeri për të mos e humbur gjithë atë pasuri të madhe që kishte vënë prej kohësh, thuhet se bëri një kompromis me turqit duke ndërruar besimin dhe nga katolik u kthye në myslyman. Mbas pesë vjetëve Veziri i Shkodrës i cili ishte i emëruar nga Turqia dhe ishte me kombësi e shtetësi turke, për ta provuar atë, nëse i qëndronte besnik fesë myslymane e detyroi atë që të shkonte për haxhillëk në Qabe tek varri i Muhametit.

Ky person i quajtur Çeka, e pranoi kërkesën e Vezirit dhe pasi u kthye që nga Qabeja, njerzit në Shkodër e thërritën Haxhi Çeka. Rreth origjinës dhe trashëgimisë së trungut të kësaj familje, ka dhe disa hipoteza të tjera, ku në njerën prej tyre thuhet se në fshatin Sumë në atë kohë jetonin dy vëllezër të cilët quheshin Sokol (Kolë) dhe Pjetër Suma. Veziri i Shkodrës kishte të dhënë se këta vëllezër rridhnin prej një familje bajraktarësh dhe u dërgoi fjalë që të shkonin për ta takur në Shkodër në sarajet e tij.

Fjalës së Vezirit, që ishte dhe sundimtari i Shkodrës, iu përgjigj vetëm njëri nga vëllezërit, Sokoli, kurse Pjetri nuk erdhi fare në Shkodër. Veziri i premtoi Sokolit se do t’i jepte toka dhe pasuri me konditë që ai të bëhej myslyman dhe pasi Sokoli e pranoi atë gjë, Veziri e mbajti pranë vetes. Pas disa kohësh, Veziri i tha Sokolit që të shkonte në fshatin Sumë dhe t’i mbushte mëndjen edhe vëllait Pjetrit dhe gjithë fshatit që të zbrisnin në Shkodër dhe të ndërronin fenë, njëlloj siç kishte bërë dhe ai.

Por kur Sokoli shkoi dhe ia trasmetoi Pjetrit mesazhin që kishte marrë nga Veziri, Pjetri u indinjua shumë dhe për t’i shpëtuar ndonjë hakmarrje të mundëshme të Vezirit, u largua nga fshati dhe për dhjetë vjet me rradhë qëndroi i fshehur ndër miqtë e tij dhe nëpër male. Duke u mërzitur nga jeta e keqe që bëri për afro dhjetë vjet nëpër male, ku disa herë iu rrezikua edhe jeta, Pjetri vendosi dhe zbriti në Shkodër e shkoi drejt e në shtëpinë e Haxhi Çekës, për të cilin kishte dijeni se nga katolik ishte kthyer në myslyman. Pjetër Suma i tha Haxhiut se kishte shkuar aty për t’i rënë në dorë dhe për t’i kërkuar besë ta mbronte nga i vëllai i tij Sokoli, i cili donte që t’i ndërronte besimin. Haxhi Çeka e mori në besë Pjetrin dhe e mbajti në shtëpinë e tij duke i thënë se nuk e detyronte njeri për të ndërruar fenë.

Kështu, Pjetër Suma qëndroi për afro tre vjet në shtëpinë e Haxhi Çekës dhe mbas tre vjetëve Haxhiu i dha dhe të hollat për të ndërtuar shtëpinë e tij. Pjetri e ndërtoi shtëpinë e tij ngjitur me atë të Haxhiut, por kur e morën vesh turqit dhe shkuan për t’ja shëmbur, Haxhi Çeka u doli përpara dhe ju tha se ajo ishte shtëpia e tij. Turqit ikën duke thënë se ajo është shtëpia e Çekës dhe që nga ajo kohë Pjetër Sumës, i mbeti mbiemëri Çeka dhe në të gjithë Shkodrën ai filloi të thirrej Pjetër Çeka. Kurse jashtë qytetit e nëpër fshatra dhe jashtë Shqipërisë ku ai shkonte për tregti, njihej dhe thërritej Pjetër Suma.

Prandaj që nga ajo kohë edhe sot ajo familje njihet me dy mbiemrat, Suma dhe Çeka. Po kështu sipas këtij versioni thuhet se edhe familja e njohur shkodrane Sokoli që është e besimit myslyman dhe e ka origjinën nga fshati Sumë, është po nga trungu i familjes Çeka dhe ajo rrjedh prej Sokolit, vëllait të Pjetër Sumës i cili edhe ai u kthye në myslyman e mori mbiemrin Çeka. Pjetër Çeka u martua dhe i lindën pesë djem: Preçi, Hila, Ejlli, Kola dhe Simoni. Dy djemve të mëdhenj Preçit dhe Hilës, Pjetri u dha zanatin e rrobaqepësit, kurse djalin e tretë Ejllin e dërgoi në Romë ku pasi u shkollua për xhakua (prift) erdhi e shërbeu në Shkodër dhe më vonë në fshatin Shirq, ku dhe vdiq e u varros në kishën e Shënapremtes.

Djali i dytë Hila, nuk ishte i kënaqur nga puna e rrobaqepësit dhe më pas u muar me tregëti lëkurësh, ku pasi mblodhi një sasi shumë të madhe shkoi dhe i shiti në Venedik. Me paratë që fitoi nga shitja e lëkurëve, Hila bleu shumë mall të cilin erdhi dhe e shiti në Shkodër në gjashtë dyqanet që i bleu së bashku me vëllezërit e tij. Nga lekët që fitonte prej shitjes së lëkurëve në Itali, Hila blinte mall manifakture dhe vinte e shiste në Shkodër. Pasi u fuqizua shumë ekonomikisht, përveç Shkodrës, Hila filloi t’i shiste mallrat që sillte nga Italia dhe në Gjakovë, Prizren, Shkup, Tetovë etj, ku hapi agjensitë e tija që njiheshin me firmën “Suma” (Çeka) dhe punësoi njerëz të besuar nga Shkodra.

Llogaritë e firmës, vëllezërit Çekaj (Suma) ia lanë Simonit, që ishte më i vogli i vëllezërve, por më i zoti prej tyre ndonëse kishte fare pak shkollë. Pasi fituan shumë nga kjo lloj tregtie, vëllezërit Çekaj u martuan sipas rradhës dhe blenë dyqane, vreshta dhe toka të cilat shtriheshin në Bushat, Vrakë, Çelepie, Lezhë e deri në Zejmen ku ata kishin 200 dynym. Hila ndërtoi një shtëpi të madhe me gjashtë dhoma në qytetin e Shkodrës, në atë vënd ku sot njihet me emrin Arra e Madhe.

Trashëgimia gjenealogjike e familjes Suma apo siç njihet ndryshe Çeka, pas Pjetrit dhe Sokolit, mori këtë rrjedhë: Preçi pati dy djem, Pjetrin dhe Zefin. Pjetri pati tre djem, Ndocin, Filipin dhe Mikelin. Ndoci pati dy djem, Pjetrin dhe Lecin. Leci pati dy djem, Toninin dhe Pjetrin. Zefi pati për djalë Ejllin që la nëntë fëmijë, një djalë dhe tetë vajza. Djali që quhej Gaspër, la tre djem, Ejllin, Zefin dhe Luigjin të cilët nuk u martuan dhe ajo degë e familjes u shua fare. Tetë vajzat e Ejllit, ishin: Çilja, Angjia, Kusha, Dranja, Cina, Tonja, Lezja dhe Gjystja.

Dy vajzat e mëdha Cilja me Angjen, në vitet 1834 dhe 1837 u martuan me dy djemt e Pjetër Shirokës, Shanin dhe Gaspërin. Kurse dy vajzat e tjera, Kushja dhe Drandja, po në vitet 1834 dhe 1837, u martuan me dy djemtë e Kol Shirokës, Ndrekën dhe Zefin. Vajza tjetër Cina u martua me Pashko Muzhanin, Lezja me Loro Saraçin, Tonja me Filip Çurçinë, kurse Gjystja, më e vogla nga vajzat u dorzua murgeshë.

Kola la një djalë, Filipin i cili pati vetëm vajza dhe ajo degë u shua. Simoni më i vogli la katër djem, Matinë, Lazrin, Franon dhe Gaspërin. Matia vdiq, Lazëri shkoi në Francë e Franoja në Spanjë dhe nuk u kthyen më. Ndoci la vetëm vajza dhe u shua si degë, kurse Gaspëri pati djalë Kolën i cili kishte djalë Zefin dhe Zefi pati dy djem Nikolinin dhe Gaspërin.

Dokumentet e Francës të ekspozuara në shtëpinë Çeka-jve

Në shtëpinë e vjetër dhe karakteristike shkodrane të Çekajve, ajo ç’ka të bie më tepër në sy përveç fotografive të vjetra të varuara në muret e asaj dhome të madhe, janë dy dokumente të vjetra të shkruara në frëngjisht. Njëri prej atyre dy dokumenteve, mban datën 6 shkurt të vitit 1854 dhe është Patenta e Mbrojtjes, me të cilën Konsullata franceze e Shkodrës ka pajisur vëllain e gjyshit të Engjëllit, Filip Çekën.

Në atë dokument të titulluar “Patentë Mbrojtje”, shkruhet: “Ne, Konsullata Franceze në Shkodër, vërtetojmë se zoti Filippo Suma, shtetas otoman, lindun dhe banues në Shkodër, është i regjistruar me numër 2 në regjistrin e veçantë për të huajtë e mbrojtur nga kjo Konsullatë, në bazë të dispozitave të marrëveshjeve të përmbajtura në traktatet e lidhura ndërmjet Francës dhe Portës së Lartë Otomane. Me besën e fjalës së dhënë ne i japim atij këtë dhuratë për t’i shërbyer aty ku ja jep e drejta” Shkodër më 8 shkurt 1854. Nga zotni Konsulli De Diagruan.

Këtë dokument Konsullata franceze e Shkodrës ia ka akorduar Filip Sumës për shërbimet që ai i kishte bërë asaj në atë kohë kur nuk ishte më shumë se 30-vjeç. Kurse dokumenti tjetër i cili i përket vitit 1895, është një Medalje Ari e cila i është dhënë gjyshit të Engjëllit, Mikel Çekës (Suma), ku shkruhet: “Ministria e Punëve të Jashtme. Presidenti i Republikës Franceze, Mbi propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dekreton: Një Medalje Nderi prej Ari që i është lëshuar Z. Summa, përkthyes ndihmës i Konsullit të Francës në Shkodër të Shqipërisë, për shërbimet e bëra për interesat franceze nga 1856 në 1895”. Shefi i shërbimit të Protokollit Sh. Croziej. Lëshuar në Paris, më 23 prill 1895. Feliks Fore. Y Hanoto.

Kush ishte Filip Çeka?

Po kush ishte Filip Çeka dhe përse ai u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës? Filipi u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1826 dhe ai ishte djali i Pjetër Çekës, familja e të cilit rradhitet ndër më të vjetrat shkodrane që figurojnë të shënuara që në vitin 1736 në regjistrat e pagëzimit që janë mbajtur nga familja Kamsi.

Nga tre dokumente pagëzimi të kishës që ruan familja e që i përkasin viteve 1830, 1871 dhe 1898, pjestarët e kësaj familje njihen dhe me mbiemërin Suma dhe kanë lidhje fisnore me fisin Sokoli të Shkodrës. Kjo gjë vertetohet edhe nga të dhënat e ditarit të Mustafa Boriçit, që është ruajtur nga qershori i vitit 1844, ku ai midis të tjerash ka shkruajtur: “Fitova davanë me tregtarin Ndoc Çeka”.

Duke qenë se asokohe ishte në modë që familjet aristokrate t’i dërgonin fëmijet e tyre për të mësuar në shkolla private, e më pas në ato fetare, edhe Filipi mendohet të jetë arsimuar në këto shkolla. Mirëpo deri më sot familja Çeka nuk disponon asnjë lloj dokumenti shkollor të Filipit dhe këtë gjë e bazon në llogjikën e familjeve të asaj kohe që i dërgonin fëmijët në ato shkolla për të mësuar gjuhët e huaja, gjë e cila u imponohej për nevoja të tregtisë.

Që Filipi ka mësuar në ato shkolla, vërtetohet dhe me faktin se ai ka mësuar gjuhën frënge që përpara moshës 30-vjeçare, kohë në të cilën ai u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës. Ky fakt na lejon të supozojmë se atë mbrojtje, Filipi e ka marrë në rradhë të parë si personalitet që ka qenë, se përndryshe nuk mund t’i jepej ai privilegj.

Filipi me përfaqësinë e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit

Nga studimet e ndryshme që janë bërë, Filip Çeka njihet dhe si një nga organizatorët kryesorë të përfaqësisë shkodrane që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Kështu nga viti 1854 kur Filip Çeka u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës dhe deri në vitet 1878 kur ai figuron në shumë dokumente si një nga organizatorët kryesorë të Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit, nuk ka ndonjë të dhënë se me çfarë është marrë në atë periudhë kohe.

Në një studim të historianëve të njohur, Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, citohet një dokument që është shkruar një muaj përpara se të mbahej Lidhja e Prizrenit. Ajo është një protestë që shkodranët ia kanë dërguar ambasadorit francez në Stamboll, ku midis të tjerash thuhet: “Ne, katolikë e myslymanë, vëllezër prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, pëlqejmë më mirë të asgjesohemi, se sa të vdesim të poshtëruar e të skllavëruar”. Ndonëse në atë dokument nuk jepen emrat e nënshkruesëve të tij, kemi të drejtë të mendojmë se aty është dhe dora e vëllezërve Çeka, Filipit dhe Mikelit, nisur nga fakti se ata kanë ditur frëngjishten dhe Filipi ka qenë ndër organizatorët e asaj proteste.

Kjo gjë bëhet e besueshme nisur dhe nga fakti se Filipi ka pasur lidhje me qarqet e huaja diplomatike që kanë qenë në asokohe në Shkodër. Sipas dokumenteve historike, më 15 qershor, dy ditë pas hapjes së Kongresit të Berlinit, në oborrin e Medresesë që ndodhej pranë Pazarit të Vjetër të Shkodrës, është zhvilluar një manifestim popullor ku është lexuar dhe një peticion që paria shkodrane ia dërgoi Kongresit të Berlinit në shenjë proteste. Duke parë firmëtarët e atij peticioni, shihet dhe emri i Filip Sumës, çka pohohet edhe nga studjuesi Xhafer Belegu në veprën e tij “Akte të Rilindjes”.

Po kështu në një studim të akademikut Kristo Frashëri, ku ai jep me përafërsi emrat e antarëve më aktivë të Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, që dërgoi përfaqësinë e saj në Lidhjen e Prizrenit, rradhitet dhe emri i Filip Sumës. Një dokument tjetër që vërteton pjesmarrjen e Filip Sumës në përfaqësinë e Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, është dhe ai i vëllezërve Çoba, ku midis të tjerash thuhet: “Na të premen, (Premten) u mblodhme e i vuni populli katër vetë, F. Çekën, N. Shirokën, Simon e Gjok Muzhani. Edhe dje kan kenë në komisjon edhe i kan prit fort mirë”.

Në bazë të këtyre dokumenteve dhe materialeve historike, emri i Filip Çekës figuron në përfaqësinë drejtuese të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën që nga korriku i vitit 1878 e deri në fund, pavarësisht nëse ka qenë i ngarkuar me detyra apo jo. Mos pjesmarrja e tij në delegacionin e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit, ndoshta ka qenë e kushtëzuar prej statusit të tij prej “gjysëm diplomati” nga lidhjet që ai kishte me Konsullatën Franceze të Shkodrës”. Po kështu nga dokumentet arkivore, Filipi njihet dhe si pjesmarrës me trupat vullnetare shkodrane në Luftën e Plavës e Gucisë përkrah Jusuf Sokolit dhe ai figuron edhe si pjesmarrës në Luftën për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët në vitin 1879, ku shkodranët në shenjë solidariteti dërguan dy formacione me vullnetarë.

Në njërin prej tyre ishte Filipi 60 vjeçar, i cili së bashku me Jusuf Sokolin kishin nën komandë 40 vullnetarë shkodranë. Filipi vdiq në Shkodër në vitin 1895 dhe për nder të tij, në shtëpinë muze, që aktualisht banon Engjëlli me të vëllanë Mikelin, në vitin 1989 u vendos një pllakë përkujtimore që e cilëson atë si organizator të Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit.

Filip Çeka (i riu), nëprefekt i Monarkisë në Ersekë

Pas Filip Çekës dhe vëllait të tij Mikelit, një nga pasardhësit e tjerë të trungut të familjes së njohur shkodrane, është dhe babai i Engjëll Çekës, Filip Çeka i cili u lind në vitin 1898 në atë shtëpi dhe gjatë pagëzimit që iu bë në kishë, si kumbarë kanë qenë çifti francez De Guard, të cilët në atë kohë punonin në Konsullatën Franceze në Shkodër. Filipi kishte dhe një motër, Gjystinën e cila u dorzua murgeshë dhe një vëlla, Angjelinin. Filipi u shkollua në shkollën Tregtare të Shkodrës të cilën e mbaroi në vitin 1920 nga ku u emërua si nëpunës finance në Bashkinë e Shkodrës.

Më pas Filipi punoi si Drejtor i Financave në Krujë, Lezhë, Pukë dhe Durrës. Duke qenë se ai ishte një ndër njerzit e besuar të Mbretit Zog, në vitin 1934 Filipi kaloi si kontigjent i Ministrsë së Brendshme dhe u emërua si nënprefekt në Delvinë, Ersekë dhe Konispol. Pasi punoi disa kohë si Kryesekretar i Prefekturës së Vlorës, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Filipi u pushua nga puna.

Me ardhjen e gjermanëve ai u emërua nënprefekt i Lushnjes, ku punoi vetëm një muaj dhe u largua që andej pasi e shpëtoi qytetin nga djegia e gjermanëve. Ndërsa gjatë viteve të regjimit komunist deri në 1960-ën, Filipi punoi si llogaritar në Korçë, Fush-Arrëz e Bushat, gjithmonë i survejuar nga Sigurimi I Shtetit, si ish-funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut.