Në të gjithë vendin aktualisht janë plot 33 kantiere restaurimi të Ministrisë së Kulturës, ku po punohet në monumente të ndryshme. Mes tyre është edhe Ura e Golikut në Pogradec. Për të parë nga afër punimet e fazës së parë në këtë kantier ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

“Ura e Golikut është një monument kulture i kategorisë së parë. Është një urë e shekullit të 18-të, e cila nuk ka njohur asnjëherë më parë restaurime. Ky konsolidim i parë që ne po bëjmë na jep garanci se ura do t’i rezistojë reshjeve dhe prurjeve të lumit. Restaurimi kryhet edhe me kontributin e sponsorave privatë”, u shpreh Kumbaro.

Punimet përfshijnë përforcimin e këmbëve të dëmtuara, devijimin e pjesshëm të rrjedhës së lumit për të larguar rrezikun, si dhe heqjen e bimësisë në pjesën e harkut. Ndërkohë gjatë fazës së dytë do të vijohet me rindërtimin e parapetit të urës dhe restaurimin e kalldrëmit të saj. Ura e Golikut mbi lumin Shkumbin, ndodhet 40 km larg qytetit të Pogradecit. Ajo është ndërtuar mbi gjurmët e rrugës së vjetër Egnatia. Përveç vlerave monumentale, ajo ka edhe funksion praktik pasi është e vetmja nyje lidhëse e 4 fshatrave të zonës së Mokrës.