Nga Mira Kazhani/Flamuri kuqezi është sot për sot i vetmi subjekt/objekt përbashkues. Nëpër ndeshje dhe festa kombëtare ai na përndez shpirtin, na kandis ndërgjegjen dhe na bashkon në një. Po të vësh re me kujdes, nuk besoj se ka ndonjë film amerikan ku mungon flamuri apo një pjesë nga Statuja e Lirisë. Si të thuash, në përgjithësi popujt kanë nevojë për ndjenja nacionaliste, sepse të ngrohin zemrën kur s’ke asgjë tjetër më të mirë. Kështu bëjnë edhe francezët, edhe grekët, edhe gjermanët, serbët e rusët, argjentinasit e me radhë.
Mbledhjet e përbashkëta të qeverive Shqipëri-Kosovë sot arritën kulmin me një foto ku të gjithë bënë simbolin e shqiponjës me duar. Shfaqjet e vëllazërimit janë një pamje emocionesh të bukura dhe që shkojnë kollaj tek qytetarët brenda dhe matanë taksës së Rrugës së Kombit. Aty i harrojmë të gjitha, edhe se si rriten çmimet në Durrësin e Dakos, kur kosovarët vijnë me pushime, edhe në Himarë e Sarandë. Aty harrojmë sherret për pataten apo dhe (për pak) konfliktin me Kosovën për taksën e rrugës. Ne sot jemi bashkuar teorikisht dhe muaj pas muaji edhe praktikisht. Ndoshta do të vazhdojmë të kemi qeveritë tona, ndoshta një ditë, veç një Bacë në krye – dhe Haradinaj gati është t’ia lërë punën Edi Ramës – Albin Kurti mund të vijë pas ca vitesh e të jetë kryeministër i të gjithëve. Ups, keni frikë tani, kur e lexoni këtë? Po, të gjitha mund të ndodhin! Se gjatë festave është e bukur shqiponja, edhe kënga e xhamadanit, edhe kënga e Florit, edhe e Elita 5 apo Alban Skënderajt, edhe memet dhe thirrjet manifest në rrjet. Por festat ikin shpejt dhe vjen prapë e përditshmja, që në vend të zemrës së përndezur sjell patate të skuqura, d.m.th. ditë të zakonshme, pa ndonjë flash.
Sot, më shumë se shqiptarët shqiptarinë, ka fituar Edi Rama shqiptarët. Burri i gjatë sapo e ndezi sërish! Politikisht, i lumtë! Një presion i tillë mund të bëhet shkak për lajme pozitive dhe zhvillime pozitive andej nga BE. Viktima lodhet një ditë duke qenë viktimë. Edhe pse e pafuqishme, ke dëshirë të ngresh krye dhe është bukur. Më shumë sesa materialja, në jetë na mban dashuria dhe ndjenja e mendimi i mirë për veten na çon përpara.
Ndaj, sot, Brukseli duhet të ketë kuptuar sesa gabim ishte të lije Kosovën pa e futur në Interpol. Të mos përpiqeshe për të. Të lësh viktimën të jetë viktimë, ta trajtosh gjithmonë si të tillë. Më shumë sesa një taksë për Serbinë, Kosova dhe Shqipëria sot iu përgjigjën skematikëve, lodhjes së europianëve dhe mbajtjes peng e lënies varur, siç bënin dikur të dashurit mendjemëdhenj me vajzën e pasigurt.
Politikisht, sot për sot ia bëmë siç e kanë hak, e kemi hak, por sa për të ardhmen, veç një Ballkan i fortë e bashkëpunues na bën të fortë veç e veç. Megjithëse jetojmë gjithnjë e më shumë në kohëra të paparashikueshme, sa të jetë flamuri që i çmend shqiptarët, të gjitha të tjerat harrohen! Pastaj, mos të harrojmë se e kemi edhe të bukur. Siç thotë Kadare (Mosmarrëveshja) në një moment pa mendje ua morëm Po-në fuqive për Shqiponjën e zezë me copën e kuqe flakë. Mund të kishim sorra, gjarpërinj, brirë, laraska, viza dhe shirita me disa ngjyra që të vrasin sytë, por e zgjodhëm dhe fituam një flamur të hijshëm, a thua se e dinim se me atë do ngushëlloheshim në ditët kur mos të kishim asgjë! / Tiranapost