Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi sot një takim zyrtar me delegacionin e Federatës Europiane të Sportit Universitar, e përfaqësuar nga Presidenti Adam Roczek, i shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Universitar, Besnik Veliu dhe Presidentin e Federatës së Sportit Universitar të Kosovës, Musa Selimi.

Duke falenderuar FSHF-në për këtë pritje, Rozcek shprehu kënaqësinë e tij që ndodhet në Tiranë për të folur dhe lobuar mbi organizimin e Kampionatit Europian të Futbollit Universitar, ku FSHSU ka hedhur kandidaturën për të mikpritur këtë kompeticion në Tiranë në vitin 2021. Roczek vlerësoi shumë arritjet e futbollit shqiptar në vitet e fundit dhe u shpreh i lumtur që sot lëvizja futbollistike shqiptare është duke njohur suksese të mëdha.

Presidenti Duka shprehu të gjithë gatishmërinë e FSHF për të ndihmuar Federatën Shqiptare të Sportit Universitar në këtë garë të rëndësishme, duke ofruar të gjithë suportin organizativ dhe infrastrukturor në mënyrë që Tirana të fitojë të drejtën për të pritur këtë kompeticion prestigjoz. Kampionati Europian i Futbollit Universitar është një kompeticion që do të sillte në Tiranë 500 sportistë, në një total prej 36 skuadrash, nga të cilat 24 ekipe meshkujsh dhe 12 ekipe femrash.