Kryeministri Edi Rama ditën e dielë e nisi turin e takimeve në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit në qytetin e Përmetit. Edhe këtë të diel u përball me protestuesit që donin ta pengonin në vijimin e fushatës. Një grup protestuesish opozitarë kishin dalë në rrugë me pankarta në duar “Rama ik” dhe “S’ka zgjedhje pa opozitën” dhe mes protestuesve ra në sy edhe ish-deputeti demokrat, Tritan Shehu.
Në fjalën drejtuar mbështetësve të tij, Rama tha se me kandidatin socialist do të bëhet shumë më shumë në këtë qytet.
“Këtu në Përmet kemi pasur vullnetin për të mbështetur çdo projekt të kryetarit të bashkisë dhe është në rastet e pakta që kemi gjetur gjuhën e bashkëpunimit dhe ia kemi dalë që vizionin tonë ta jetësojmë të pa bllokuar. Por me Almën do të bëjmë shumë më tepër”, tha ai.
Ndërsa, opozitën e cilësoi si “rrugëhumbur” dhe çetë që shfaqet cepave të rrugëve.
“Opozita është kthyer në çetë me 50 veta që shfaqen cepave të rrugëve”, u shpreh ai.
Më tej, turi i kryeministrit vijoi në Dropull dhe me pas në qytetin jugor të Gjirokastrës, ku prezantoi Flamur Golemin si kandidat të Partisë Socialiste për këtë bashki. Edhe këtu nën udhëheqjen e ish-kryekomunarit të Lazaratit, Dasho Aliko, një grup i vogël militantësh të PD-së, u grumbulluan për të penguar kalimin e eskortës së kryeministrit Rama. Gjatë tubimit ka patur edhe përplasje me policinë, ku këta të fundit kanë tentuar që t’i ndalojnë nga veprimet e dhunshme dhe bllokimi i rrugës.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama i ka mëshuar fort faktit se do të ketë ndëshkime të rënda për krime elektorale. Në një kohë që opozita po e ndjek me protestë në cdo zonë, kryeministri ka deklaruar se askush nuk do të tentojë që të shkaktojë trazira në ditën e zgjedhjeve.
Ai theksoi se kushdo që do të kryejë krime elektorale aktualisht e ka me ligj që nuk punon dot 10 vjet në administratë, por shtoi se PS do ta bëjë që një personi të dënuar për krime elektorale t’i ndalohet përjetë të punojë në bashki.
“Në çdo bashki që ne do marrim, në të gjitha, asnjë grua dhe asnjë vajzë nuk do preket në të drejtën për të punuar. Burrat si të duan.
Nëse duan të shkojnë pas berihait, të vazhdojnë të shkojnë burgjeve. Edhe sikur mos shkojnë në burgje, me ligjin e dekriminalizimit, ata nuk punojnë më në administratë. Ne do e bëjmë përjetë. Ndalim përjetë kush bën krime elektorale. Asnjë taksapagues shqiptar nuk japë lekë për persona, që krijon problem me policinë, apo larg qoftë më 30 qershor të shkojë në qendër votim, ta provojë”, është shprehur kryeministri Rama.
Sa i përket opozitës së dalë në rrugë, kryeministri i ka cilësuar si ‘enverista qorra’, si në sistemin diktatorial.
“Ata në anë të rrugës si ‘enverista qorra’. Nuk do të mbahen mend për asgjë, e lanë PD-në rrugëve. Opozita është kthyer në një organizatë të dhunshme”, është shprehur kreu i qeverisë. Ndërkohë që nuk ka lënë pa komentuar edhe katër kundërshtarët e tij: Sali Berishën, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën
“Iliri është si hëna, herë e plotë e herë e paplotë. E qëlluam të plotë, qeverisëm së bashku dhe bëmë punë të mira. Tani të plotën e shikon Saliu. Edhe fallxhoria që shikon filxhanin shikon një gjarpër. Gjarpër që u bë tetë, 8 qershori. Bobo Ilir na shpëto nga 97”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se opozita po nxin Shqipërinë në faqe të botës.
“Shqipëria është gati të hapë negociatat. Ata bëjnë luftë që negociatat mos të hapen. Qeveria me protesta nuk rrëzohet. Qeveria dhe parlamenti burojnë nga vota e popullit. Ata duan të rrëzojnë Shqipërinë mu te pragu i derës që duhet hapur për negociatat. Këta duan mos të ketë zgjedhje, që ndërkombëtarët të mos na hapin negociatat. Djegin një kazan dhe thotë bota çfarë po ndodh në Shqipëri. Po na nxijnë në sytë e botës”, deklaroi Rama.
Më tej, kryeministri u ka bërë thirrje gjirokastritëve që të votojnë për kandidatin e PS për kryetar bashkie.
“Doktor Flamuri atë që ka bërë si mjek duke u përkushtuar ndaj njerëzve, do ta bëjë edhe ndaj njerëzve, kësaj bashkie që është një nga potencialet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Që më 2013 janë bërë punë në Gjirokastër. Vetëm PS e ka shpëtuar dhe mund ta shpëtojë deri në fund Gjirokastrën”, përfundoi kreu i qeverisë, Edi Rama.
Pas Gjirokastrës, kryeministri e ka përmbyllur fushatën në Tepelenë, ku ka mbështetur për një tjetër mandat kandidatin Tërmet Peçin.
Ndryshe nga takimet elektorale në Përmet dhe në Gjirokastër, që u shoqëruan me protesta, në Tepelenë ai u prit me këngë e valle.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve në Përmet, Rama deklaroi se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe jo kur opozita të ndjehet gati. Sipas tij, 30 qershori nuk është lojë, por baza e ndërtimit të një shteti ligjor.
“Kur të jetë gati Luli dhe kur të thotë filxhani që doli data tamam, Liri cakto këtë datën këtu se shoh një 2-sh edhe duhet të jetë 21 dhe shiko është edhe një ‘T’ këtu, nuk e di a është tetor, a nuk është tetor, por ti shikoje vet. Shtyjini. S’duan këta kur të jenë gati le të vijnë ne i mundim prap. Mirëpo kjo nuk është një lojë me një top lecke, me porta të vogla në lagje. Kjo ka të bëjë me bazën e shtetit që ne po ndërtojmë dhe të shoqërisë që kemi zgjedhur, të shoqërisë demokratike”, është shprehur kryeministri Rama.
Sa i përket kandidatit Tërmet Peçi, Rama deklaroi se ka punuar dhe do të punojë me përkushtim për Tepelenën.
“Tepelena ka Tërmetin, që është produkt i zemrës së madhe të këtij qyteti. Tërmeti na ka dhënë mundësinë që çdo qindarkë që kemi lëshuar këtu, e ka kthyer në shërbim qytetar. Kemi bërë dhe do të bëjmë edhe më shumë për Tepelenën. Qeveria i kishte kthyer shpinën Tepelenës. Sot është një bashki e re e Rilindur, ku puna flet më shumë se 1000 fjalë”, u shpreh Rama.(Gazeta Si)