Nis puna për hartimin e paketës ligjore për garantimin e drejtës së votës shtetasve shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë.
Lajmin e ka bërë të ditur, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili shprehet se, “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës, i cili ka si qëllim hartimin e paketës ligjore për garantimin e drejtës së votës shqiptarëve në Diasporë”.
“Grupi ndërinstitucional do të kryesohet nga Ministri i Shtetit për Diasporën dhe në përbërje të tij janë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Instituti i Statistikave”, theksoi Majko.
“Në bashkëpunim me Komisionin e Reformës Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë, grupi ndërinstitucional ka për detyrë të koordinojë punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, të realizojë konsultime dhe të marrë mbështetje nga përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të jashtëm si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare”, shtoi ai.
Majko nënvizoi se, “paketa ligjore do të hartohet dhe do të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave, brenda muajit dhjetor të këtij viti. Hartimi i saj është përputhje të plotë me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe modelet e vendeve anëtare të tij.