Në emisionin “Zona Gol”, në SuperSport, mbrëmjen e sotme ishte i ftuar trajneri i Partizanit, Skënder Gega, i cili këtë verë la Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të drejtuar klubin e kuq.

Ditën e premte, Partizani mposhti me përmbysje 2-1 Tiranën në derbi, një sfidë që nga shumë u cilësua si fitorja e Gegës, me zëvendësimet e bëra, ndërsa tekniku vijon të udhëheqë klubin e kuq në krye të tabelës së renditjes.

Pse i thatë “Po!” Partizanit?

Unë kam jetuar larg Shqipërisë, por kam qenë gjithmonë aktiv duke u angazhuar me akademitë sportive atje. U poqën edhe kushtet, pasi tashmë të dy fëmijët e mi janë të martuar dhe unë pata mundësi të rikthehem dhe të kontribuoj te klubi ku jam rritur dhe që kam për zemër.

A ka presion trofesh te Partizani?

Në rrethin e ngushtë të familjes së Partizanit, nuk është se kemi folur për arritje konkrete gjatë këtij sezoni, apo edhe gjatë sezoneve të ardhshme. Kemi pasur plan që të ndërthurim lojtarët me eksperiencë, me disa të rinj të perspektivës, me qëllim që të garantojmë edhe të ardhmen. Tani na ka ecur mirë edhe me rezultatet dhe normalisht që kemi filluar të mendojmë edhe për më tepër.

Keni shënuar vetëm një gol ndaj Tiranës…

Po është e vërtetë dhe ka qenë në vitin 1987. Ka qenë goli im i vetëm ndaj bardhebluve, ndonëse atë derbi e kemi humbur me rezultatin 2-1 nëse nuk gaboj.

Te Partizani ka shumë lojtarë të rinj në moshë. Ka qenë kjo një kërkesë e juaja, apo politikë e klubit?

Të jem i sinqertë, unë komunikoj me 2-3 vetë, që i kam shumë pranë në punën time dhe bashkë bisedojmë tërë kohës për të bërë më të mirën për klubin. Teknikisht kam pasur të gjithë hapësirën për të bërë përzgjedhjen, veçanërisht pasi filloi kampionati, pasi më herët një pjesë e lojtarëve i kishin nënshkruar kontratat. Ne menduam të afrojmë disa lojtarë të rinj, pasi donim t’i jepnim një tjetër ritëm skuadrës. Deri tani ka funksionuar mirë, ndonëse lojtarët e rinj nuk janë stabël në atë që japin në fushë. Përveç disa liderëve që i kemi tashmë në ekip, po formohet edhe një brez i mirë, i edukuar dhe me dëshirë për të punuar në këtë sport.

Partizanit i ka munguar disiplina vitet e fundit. Si arritët ta rikthenit në shina?

Unë kam ecur me një projekt timin, të cilin e kisha studiuar mirë dhe e kisha eksperimentuar në ato raste që kam pasur mundësi. Disa prej lojtarëve që po shkëlqejnë këtë sezon, unë i kam gjetur aty, por unë mendoj se është shumë e rëndësishme që lojtarët e trajneri të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të përshtaten sa më shpejt me njëri-tjetrin. Asani është përmirësuar ndjeshëm, pasi luan me më shumë sakrificë, përgjegjësi dhe disiplinë. Te Bardhi pashë shumë cilësi, por një mungesë besimi te vetja dhe duke i dhënë pak hapësirë, kam kuptuar se po përmirësohet dhe po nxjerr më të mirën nga vetja. Gjithsesi titulli nuk fitohet me 3 lojtarë, por ne kemi një projekt shumë të madh, ku janë të angazhuar shumë njerëz.