Gjurmët e katastrofës që ndodhi dy mijë vite më parë janë ende prezente në zonën arkeologjike të Pompeit, qytetit misterioz që ndodhet rreth 25 kilometra nga Napoli.

Vullkani i Vezuvit “fshiu” nga faqja e dheut qytetin. Shumë persona u kapën në befasi nga llava që u përhap me shpejtësi në gjithë qytetin, duke zënë poshtë banesat.

Arkeologët ende po zhvillojnë kërkime në këtë zonë që ka të groposura shumë mistere. Por brenda llavës 2 mijë vjeçare gjenden edhe shumë trupa të pajetë njerëzish.

Së fundi është zbuluar një tjetër skelet njeriu i bllokuar brenda llavës. Siç shihet në foto, skeleti është i plotë dhe nga pozicioni që duket, viktima e para dy mijë viteve ka tentuar të arratiset.

Duket që llava e ka zënë në befasi personin që ka qenë rreth 35-vjeç sipas studiuesve raporton “Rai”. Po ashtu, nga ekspertiza që i është bërë skeletit, është zbuluar se ai kishte probleme nga këmba dhe nuk ecte dot me vrap.

Për shkak të pamundësisë së tij, ky njeri fatkeq nuk ka mundur dot t’i shpëtojë vdekjes së tmerrshme. Plot 300 kilogramë llavë ka rënë mbi trupin e tij.

“E gjetëm pranë një daljeje nga qyteti, mbase aty ndodhej edhe një pellg i madh me ujë”, tha njëri prej arkeologëve që ishin pjesë e ekspeditës.

Edhe në të shkuarën arkeologët kanë gjetur skelete të tjera. Sipas hulumtuesve, brenda llavës janë të izoluar qindra trupa nga tragjedia e para dy mijë viteve.J.J