Këtë të shtunë në orën 12:00 opozita pritet organizojë një protestë e cila është paralajmëruar para rreth një muaji.

Prej katër javësh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po vijon takimet me militantët në çdo qytet të vendit. Veç ftesës për t’ju bashkuar protestës, Basha, ndryshe nga herët e tjera, i bën thirrje qytetarëve për të rrëzuar Ramën.

Deklaratat e forta të liderit të PD-së kanë ngjallur shqetësim edhe të forcat e Policisë së Shtetit e cila ka dalë me një deklaratë ditë ne sotme.

Policia e shtetit u bën thirrje partive politike, organizatore të protestës, të shmangin retorikat që nxisin veprime të dhunshme përkundër rendit dhe qetësisë publike.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit u bën apel forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike.

Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri.

Duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta.

Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë. (Lexo.al)