Derbi i kryeqytetit, ndeshja më e zjarrtë e kampionatit shqiptar përherë është gjykuar nga arbitra me përvojë.
Por, jo pak herë gjyqtarët i kanë ndëshkuar skuadrat. Gabime njerëzore ose jo, por që si Tirana dhe Partizani ndër vite kanë shprehur ankimet e tyre. Në Shqipëri mungon sistemi “VAR”, por ne kemi gjyqtarë të aftë që dinë më së miri sesi të vendosin drejtësi.
Në supersfidën e mbrëmjes së sotme që do të zhvillohet në “Selman Stermasi” mes Tiranës pritëse dhe Partizanit udhëtues, Enea Jorgji është gjyqtari që i është besuar bilbili.
Ndihmës të tij do të jenë Ermal Barushi dhe Rejdi Avdo, ndërkohë që do të vendosen dhe dy arbitra pas portës, Juxhin Xhaja dhe Andi Koçi. Ndërkohë që arbitër i katërt do të jetë Denis Rexha.
Këta gjyqtarë të gjithë kanë stemën e FIFA-s, teksa kanë gjykuar edhe ndeshje ndërkombëtare jo më larg se pak javë më parë. Kështu që besimi se ndeshja nuk do të përcaktohet nga gabimet e arbitrave është i lartë, pasi këta gjyqtarë nuk e kanë për herë të parë në derbi.
Secili prej tyre e ka gjykuar të paktën një herë derbin e kryeqytetit, duke nisur nga Juxhin Xhaja që është më me pak përvojë e deri te Enea Jorgji apo Andi Koçi.