Ndërtesa e Bankës së Shqipërisë në Tiranë është një nga arritjet më të spikatura arkitekturore të vendit tonë.

E projektuar nga arkitekti i mirënjohur italian Vittorio Ballio Morpurgo, punimet për ndërtimin e selisë së Bankës Kombëtare të Shqipërisë filluan në shkurt të vitit 1937 dhe u realizuan nga shoqëria ” Staccioli & Fortuzi ” nën drejtimin e inxhinier Ciprianit. Ndërsa ceremonia e përurimit të saj u zhvillua në 30 tetor 1938.

Stili arkitektonik i ndërtesës i përket rrymës së “Racionalizmit” që lulëzoi në gjysmën e parë të shek. XX në Evropë dhe shquhet për harmoninë dhe ritmin, si dhe për gjetjen e përmasave racionale të dyerve, të dritareve, të lozhave, të portikut madhështor; për kombinimin e ngjyrave dhe unitetin në materialet veshëse të fasadës.

Zgjerimi i funksioneve dhe punonjësve të bankës qendrore, amortizimi i kohës, por dhe kërkesat e shtuara për standarde teknologjike sollën nevojën për rikonstruksionin e ndërtesës, të cilat u materializuan në projektin e arkitektit Marco Petreschi, inauguruar më 30 tetor 2015.

Banka e Shqipërisë publikoi videon informative me pamje të rralla ndër vite të ndërtesës së Bankës së Shqipërisë dhe të degëve të saj, skicave të projektit të vjetër e të ri.